Ilustrim
Dy persona arrestohen për posedim të narkotikëve, një shtetas i Shqipërisë ndodhet në arrati
Dy persona janë arrestuar pasi gjatë një kontrolli policor u janë gjetur dhe sekuestruar dy thika, tre telefona, dy qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 11,40 gramë dhe një motoçikletë.
Kështu ka bërë të ditur Policia në raportin 24 orësh, më 12.09.2024.
“Në konsultim me prokurorin janë kontrolluar dy lokacione banimi, pronë e të dyshuarëve si dhe vendi i ngjarjes ku janë arrestuar të dyshuarit dhe si prova materiale janë gjetur dhe sekuestruar: substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë rreth 5.34 gramë, një qese najloni ngjyrë e zezë e mbushur me substancë të dyshuar narkotike marihuanë me peshë rreth 1 kilogramë e 148 gramë si dhe një palë syze dielli”- thuhet në raportin e Policisë.
Policia njofton se të dyshuarit e arrestuar janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa një i dyshuar, shtetas i Shqipërisë ndodhet në arrati.
Raportohet se arrestimi ka ndodhur në fshatin Vlashnje të Prizrenit, të mërkurën më 11.09.2024.
Rasti është nën hetime, njofton Policia.