Dy përkrahëse të LDK-së bëhen edukatore pas zgjedhjeve

Pak ditë pasi u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka ‘shpërblyer’ me vend pune përkrahësit e saj.

Në konkursin e shpallur nga Komuna e Vitisë me 30 shtator, ku kërkoheshin katër edukatore për çerdhen e këtij qyteti “Gëzimi Ynë”, dy prej  kandidateve të pranuara janë përkrahëse të LDK-së.

Komuna shpalli rezultatet për këto vende të punëa më 11 tetor, në të njëjtën ditë kur u mbajtën intervistimet.

Lavdie Xhela dhe Naime Sylejmani janë dy prej katër kandidateve që kanë marrë pozitën e edukatores në këtë çerdhe.

Në profilet e tyre në Facebook, ato kanë treguar haptas simpatinë që e kanë për këtë parti dhe kryetarin e kësaj Komune që vjen nga LDK, Sokol Halitin.

E kontaktuar nga KALLXO.com, njëra nga kandidatet, Lavdie Xhela, e ka mohuar që të ketë ndikuar LDK-ja që ajo të punësohet.

“Nuk ka ndikuar asnjë parti në punësimin tim. E kam të kryer fakultetin adekuat për këtë punësim, që katër vite jam e diplomuar, unë jam pranuar me konkurs të rregullt. Kështu qe nuk po shoh diçka jashtëligjore edhe t’u kisha lut mos u merr me mua se qe katër vite jam e papunë dhe menxi që jam pranuar”, ka thënë Xhela.

Xhela në profilin e saj në Facebook ka shpërndarë publikime të drejtoreshës së Arsimit në këtë Komunë e cila ka qenë edhe kandidate për deputete e LDK-së, Fatbardha Emini.

Ajo madje në profilin e saj në Facebook e ka bërë të ditur punësimin më 8 tetor, tri ditë para se të mbahej testi dhe të dilnin rezultatet.

Ndërsa kandidatja tjetër e pranuar në këtë konkurs, Naime Sylejmani, ka një foto të profilit që përkrah Sokol Halitin.

KALLXO.com ka kontaktuar atë por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka kthyer përgjigje.

Kurse, drejtoresha e Arsimit, Fatbardha Emini ka mohuar që t’i ketë ndihmuar dy kandidateve që ato të pranohen si edukatore në çerdhen “Gëzimi Ynë”. Ajo po ashtu ka thënë se nuk e ka shpallur Drejtoria e Arsimit këtë konkurs.

“Nuk jam në dijeni sepse Drejtoria e Arsimit nuk e ka shpallur asnjë konkurs për edukatore. E kam pasur pozitën e pezullume dhe nuk di që ka pasur konkurs për edukatore në drejtorinë time, ne kemi pasur në gusht vetëm. Këtë e ka shpallur zyra e personelit por jo Drejtoria e Arsimit në këtë muaj”, ka thënë ajo.

“Absolut s’kam ndikuar që asnjë kandidat të pranohet sepse unë i kam pasur diku rreth 4 mijë vota dhe s’mundem me ditë kë e kam përkrahës”, ka shtuar ajo.

KALLXO.com po ashtu ka kontaktuar edhe udhëheqësin e personelit të Komunës së Vitisë, Hysen Ymeri për të marrë sqarime, i cili ka thënë se kanë pasur kërkesë nga çerdhja që të hapin konkurs.

Ai ka mohuar që të ketë pasur ndikime nga LDK-ja për kandidatet e pranuara.

“Jo. Ndikimi s’ka pasë asgjë, s’kanë intervenim asgjë në lidhje me këtë gjë. Kanë konkurruar të gjithë, kanë ardhur në testin me shkrim dhe kushdo që është i interesuar le të vjen le ta sheh testin, s’ka asnjë problem. Secili që është pranuar ka shkuar sipas meritës”, ka thënë Ymeri.

Udhëheqësi i personelit po ashtu ka shtuar se i ka penguar gjithmonë intervenimet politike.

“Çka qesin ato në Facebook mua s’më intereson. Konkursi ka qenë publik, pastaj ka qenë publike edhe dita dhe data e mbajtjes së testit me shkrim dhe të gjitha. Komisioni ka qenë profesional dhe ka bërë vlerësimin e duhur”, ka shtuar ai.