Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj
Dy pacientë vdiqën nga Covid-19, drejtori i Infektivës thotë se s'ka vend për panik
Dy pacientë të infektuar me Covid-19 kanë vdekur në Klinikën Infektive, të premten më 16.08.2024.
Sipas drejtorit të Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, të dy kanë pasur sëmundje të tjera të rënda kronike.
Njëri prej tyre ishte në moshën 80-vjeçare dhe ka vdekur dy orë pas pranimit në Infektivë, ndërsa tjetri, 67-vjeçar ka qenë duke u trajtuar më parë aty.
Aktualisht në Infektivë janë duke u trajtuar 10 pacientë më Covid-19, dy prej tyre me oksigjenoterapi.
Pavarësisht shtimit të numrit të të infektuarve, Vishaj thotë se nuk ka nevojë për panik.
“Ne jemi duke e përcjellë me vëmendje të shtuar situatën epidemiologjike dhe varësisht nga situata do të veprojmë konform saj” – tha Vishaj.
Ai shtoi se për momentin kanë mjaftueshëm oksigjenoterapi, barna dhe staf mbështetës.
Më 14.08.2024 në Kosovë kanë qenë 260 raste aktive.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) rastet janë shtuar si pasojë e disa arsyeve.
“Është evidente se ka rritje të numrit të rasteve pozitive dhe injorimi i masave të kujdesit shëndetësor, si mbajtja e higjienës, shmangia nga kontaktet me persona të infektuar, grumbullimet e ndryshme dhe ngjarjet e tjera të ngjashme, mund ta përhapin edhe më tej COVID-19” – thanë nga IKShPK për KALLXO.com.
Pandemia e Covid-19 u mbyll zyrtarisht më 24.05.2023 nga Qeveria e Kosovës, pasi që Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ky virus nuk paraqet më emergjencë globale shëndetësore.