Dy pacientë pranohen në Infektivë, 18 të tjerë lirohen

Dy pacientë janë pranuar sot në Klinikën Infektive dhe 28 të tjerë janë liruar për në shtëpi.

Kështu ka thënë Infektologu, Salih Ahmeti në një intervistë për KALLXO.com.

Ai gjithashtu njoftoi se dy nga 17 pacientët që po trajtohen aktualisht në Infektivë janë në gjende më të rëndë.

“Ne sapo pranuam edhe dy pacientë nga Peja dhe me 15 që i kemi pasur tani gjithsejtë janë 17 pacientë në Klinikën Infektive. 18 pacientë të tjerë sot i kemi liruar nga Klinika si të shëruar plotësisht dhe gjendja e tyre është kryesisht stabile. Ne i kemi pesë pacientë me oksigjenoterapi, ndërsa në kujdesin intensiv i kemi dy pacientë nga Prizreni dhe janë nën dializë. Ata janë në një gjendje të rëndë, në fakt shumë të rëndë, ne po përpiqemi që të përmirësojmë gjendjen e tyre”, tha Ahemti.

Ai ka thënë se të gjithë ata të cilët lirohen nga Klinika Infektive si të shëruar duhet që të vetizolohen edhe për dy javë.

“Të gjithë këta pacientë që i kemi liruar sot janë të shëruar klinikisht me teste negative dhe kjo do të thotë që ata e kanë liruar virusin nga organizmi i tyre. Ne u rekomandojmë që për dy javë të mbajnë izolim në shtëpi”, deklaroi infektologu Ahmeti.

Ahmeti tha se edhe nëse do të ketë fazë të dytë të COVID-19, ai nuk mund të jetë si në fazën e parë.

“Unë mendoj që mund të kemi raste në vjeshtë, por shpërthim epidemik unë nuk mendoj që do të kemi. Do të jetë një situatë më e lehtë edhe nëse rishfaqet virusi më vonë, në vjeshtë apo dimër”, deklaroi ai.

“Me fol me data është vështirë sepse virusi ka shumë të panjohura. Do të jetë në duar të qytetarëve sesa do t’i ruajnë distancën, masat, sa do t’i ikin tubimeve masive, por sidoqoftë ne këto ditë po kemi raste më të pakta”, tha Ahmeti.

Më tej, doktori tha se rastet e të infektuarve mund të vazhdojnë edhe një muaj më pas mund të mos ketë, nëse deri atëherë aplikohen masat për distancim.

“Virusi është në tërheqje e sipër, nuk besoj që do të rishfaqet në përmasat të cilat i pati. Unë nuk mendoj që do të kemi numër të shkurtuar të rasteve, do të kemi raste sigurisht, por jo një shpërthim të mundshëm epidemik. Brenda një muaji, ose do të kemi raste të rralla ose nuk do të kemi fare”, tha Ahmeti për KALLXO.com.

Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar 856 raste si të infektuar, 490 të tjerë deri më tani janë shëruar dhe 26 persona kanë vdekur.

Më poshtë mund ta dëgjoni të plotë intervistën me Infektologun, Salih Ahmeti:

 

Të rejat e fundit nga Klinika Infektive#COVID-19Sali AhmetiInfektolog

Publiée par Kallxo.com sur Mercredi 6 mai 2020

www.KALLXO.com