Dy pacientë në gjendje të rëndë nga coronavirusi

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se sot, në Klinikën Infektive të QKUK-së janë hospitalizuar 47 pacientë më COVID-19.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 2 pacientë janë në mjekim intensiv dhe në gjendje kritike.

“Nga 47 raste të infektuar me Covid -19: 41 raste janë në gjendje stabile, 4 raste kanë nevojë për oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, 2 pacientë janë në mjekimin intensiv në gjendje të kritike dhe në ventilim mekanik”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar poashtu se janë në pritje rezultatet për 10 raste, ndërsa tregon se janë testuar dhe konfirmuar se negativ në COVID-19 4 raste.

Ndërsa sa i përket stafit shëndetësor të Klinikës Infektive, MSH thotë se nuk ka asnjë infeksion brenda spitalor.

“Sa i përket stafit të Klinikës Infektive, nuk ka asnjë rast të ri të infeksionit brenda-spitalor, ndërsa 4 infermieret e infektuara më parë janë  në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Nga data 08.02.2020 deri me 06.04.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.093 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 165 raste me 3 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.