
Ilustrim
Dy nga tre policët e lënduar në aksidentin në Veri pritet të lirohen nga Spitali
Dy nga tre policët e lënduar në aksidentin në Veri të vendit pritet të lirohen në shtëpi, pas trajtimit që kanë marrë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ndërsa, siç ka njoftuar Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës, polici i tretë do të operohet në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale.
Sipas njoftimit, njëri polic është operuar si rast urgjent në kërcin e gjurit në Klinikën e Ortopedisë dhe është në gjendje stabile, e pritet të lirohet nesër. Polici tjetër, që është trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, po ashtu në gjendje stabile, pritet të lirohet sot.
“Trajtimin shëndetësor do ta vazhdojë njëri nga të lënduarit që po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale, i cili aktualisht ka gjendje stabile shëndetësore dhe pritet që t’i nënshtrohet një operacioni.” – thuhet më tej.
Tetë pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës u lënduan më 13.12.2024, në fshatin Grabovc të Zveçanit, kur automjeti i blinduar në të cilin gjendeshin doli nga rruga.
Pesë prej tyre u liruan për në shtëpi, një ditë pas aksidentit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se shkaqet e aksidentit janë duke u hetuar.