Gjykimi në rastin "Stenta 2"
Dy nga mjekët e akuzuar në rastin “Stenta 2” thonë se ndihen të pafajshëm
Masar Gashi dhe Murat Abazi, dy mjekë të akuzuar në rastin e njohur si “Stenta 2” janë deklaruar se ndihen të pafajshëm lidhur me akuzat e Prokurorisë.
Deklarimin këtë dy të akuzuar e bënë pasi gjykata vendosi që procedura ndaj këtyre dyve të ribashkohet pasi fillimisht u ishte veçuar procedura për shkaqe shëndetësore.
“Unë nuk e ndjej veten fajtor”, tha shkurt Masar Gashi
Menjëherë pas tij vazhdoi edhe I akuzuari tjetër i cili gjithashtu tha se nuk ndihet fajtor mirëpo edhe kërkoi nga gjykata që të përfundojë më shpejt ky rast e të lirohen nga akuzat për veprat që nuk I kanë kryer.
“Jo asnjëherë nuk ndihem fajtor”, shtoi Murat Abazi.
Në këtë rast të akuzuar kanë qenë 45 persona por ndaj të akuzuarve Murat Abazi e Ferid Susuri, Perihane Sefa dhe Masar Gashi gjatë seancave gjyqësore për shkaqe shëndetësore është veçuar procedura penale.
Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.
Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani ka përfunduar. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim, mirëpo rasti është kthyer në rigjykim.
Kurse po vazhdon procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private.
Të akuzuarit në këtë rast “Stenta 2” nga Prokuroria Speciale ngarkohen për veprat penale të keqpërdorimit te pozitës dhe marrje të ryshfetit.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve.
Në rastin “Stenta” të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privatë shëndetësor.
Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.