Foto: Ilustrim

Dy nga familjarët e Nuredin Lushtakut dërgohen në mbajtje

Dy familjarë të ish- nënkryetarit të Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtakut janë dërguar në mbajtje ndërsa dy të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës me anë të raportit ditor në të cilin përmendet edhe sulmi ndaj dy zyrtarëve policor.

Sipas raportit policor, katër anëtarët e familjes Lushtaku janë intervistuar në lidhje me veprën penale sulm ndaj personave zyrtar, ngjarje kjo e cila ka ndodhur pak para mesnatës së të shtunës.

“Të njëjtit pas shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik kanë sulmuar dy zyrtarë policorë. Njëri nga zyrtarët ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit ndërsa zyrtari tjetër nga një mjet i fortë”, thuhet në raportin policor.

Dy zyrtarët policor janë dërguar në tretman mjekësor.

“Në vendin e ngjarjes si dhe gjatë bastisjes nga njësitet policore janë konfiskuar dëshmi dhe prova materiale”, thuhet tutje në raport.

Në anën tjetër prokurori i rastit ka vlerësuar se dy nga të dyshuarit të lirohet në procedurë të rregullt e dy nga ta të dërgohen në mbajtje për 48 orë.

KALLXO.com raportoi në lidhje me ngjarjen që ndodhi të shtunën pak para mesnatës.

Ish- nënkryetari i Komunës së Skenderajt Nuredin Lushtaku në bisedë me KALLXO.com ka mohuar se kanë sulmuar policinë me armë.

Avokati i tij, Artan Qerkini gjatë ditës së djeshme për KALLXO.com ka thënë se kërkesa e vetme si mbrojtje është që rasti të hetohet në plotni në mënyrë që të zbardhet e gjithë ngjarja.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka kontaktuar me avokatin e Arbër Lushtakut, Durim Osmanin por nuk ka pranuar që të jap detaje në lidhje me klientin e tij.

“Nuk mund të flas pa lejen e klientit”, tha shkurt përmes telefonit avokati Osmani.