Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dy nga 80 pacientë me COVID-19 që po trajtohen në spitale, në gjendje të rëndë shëndetësore

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se dy pacientë me COVID-19 janë në gjendje të rëndë shëndetësore, nga 80 persona që janë të shtrirë në spitale dhe po trajtohen nga kjo sëmundje.

ShSKUK bënë të ditur se nga 80 pacientët sa janë të shtrirë në spitalet rajonale në vend, prej tyre 30 janë të konfirmuar pozitiv me COVID-19, si dhe 51 prej tyre me oksigjeno – terapi.

Aktualisht pacientë me SARS-CoV-2 janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive dhe atë të Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si dhe katër spitale rajonale në vend.

Në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 22 pacientë të infektuar me coronavirus, përderisa në atë të Pulmologjisë janë 39 pacientë.

“Në spitalet e përgjithshme, 19 pacientë, 15 prej tyre Covid-19 pozitiv, 12 me oksigjeno-terapi. Spitali i Prizrenit, 2 pacient; Spitali i Gjakovës, 6 pacientë; Spitali i Pejës, 3 pacientë; Spitali i Gjilanit, 8 pacientë”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Aktualisht në Kosovë janë 250 raste aktive me COVID-19, përderisa numri i rasteve pozitive me SARS-CoV-2 është duke u rritur gradualisht, dje janë regjistruar 58 raste të reja pozitive me virusin corona.
Deri më tani në Kosovë me COVID-19 janë infektuar 108 mijë e 131 qytetarë, 2 mijë e 265 kanë vdekur si dhe 105 mijë e 616 janë shëruar.

Në anën tjetër është duke vazhduar fushata e vaksinimit kundër SARS-CoV-2, dhe nga 29 marsi 2021, kur edhe filloi vaksinimi në nivel vendi, 124 mijë e 226 qytetarë janë vaksinuar me dy doza të vaksinës përderisa 388 mijë e 73 qytetarë janë vaksinuar me vetëm një dozë. Një person konsiderohet i vaksinuar komplet në momentin që vaksinohet me dy doza të vaksinës kundër coronavirusit.

Përveç COVID-19 në botë ka filluar edhe përhapja e variantit “Delta”, në mënyrë që të parandalohet përhapja e këtij varianti Ministria e Shëndetësisë apelon qytetarët që të vaksinohen.

MSh sërish fton qytetarët të vaksinohen në mënyrë që të mbrohen nga ‘Delta’