Shkolla "Mihal Grameno" në Fushë-Kosovë. Foto: Kallxo.com

Dy mësimdhënëse në Fushë Kosovë infektohen me COVID-19

Në javën e parë të vitit shkollor, dy mësimdhënëse të shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë kanë rezultuar pozitive me COVID-19 .

Sipas komunës, në testimin e 50 mësimdhënësve vetëm dy prej tyre kanë rezultuar pozitiv.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Ismail Shabani, Drejtor i Arsimit në komunën e Fushë Kosovës.

“Pardje janë testuar 50 arsimtar të shkollës “Mihal Grameno” dhe prej tyre dy kanë dalur pozitiv. Ne menjëherë i kemi izolu, i kemi dërgu në shtëpi dhe i kemi marr dy zëvendësues të tjerë, për arsye që distanca është mbajtur nonstop”, ka thënë ai.

Tutje, Shabani ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Institutin Kombëtarë të Shëndetësisë Publike  kanë vendosur të mos mbyllin shkollën dhe mësimi të vazhdojë.

“Ne u konsultuam me Institutin e Shëndetësisë dhe ju treguam rrethanat si kanë qenë, por ata thanë që njëherë për njëherë vetëm mësueset, sepse nëse janë respektu distanca, maska, s’ka pas nevojë me bë zhurmë për këtë çështje.”, ka shtuar ai.

Mësimi në shkolla ka filluar me 14 shtator për fazën e parë me institucionet parashkollore, klasat 1,2 3 6 edhe klasat 10 në shkolla, ndërsa klasat  4-5 kanë filluar sipas skenarit A.

Kurse, në fazën e dytë më 21 shtator do të fillojë mësimi për klasat 7,8,9, 11 dhe 12.