Ilustrim
“Dy kujdestari të mbajtura, tri të paguara” – Lëmsh me regjistrimet e kujdestarive të stafit në SHSKUK
Në Spitalin e Mitrovicës një mjeku i janë paguar tri kujdestari anipse nuk ka asnjë të tillë të regjistruar në librin e kujdestarive.
E një mjeku tjetër i janë paguar tri kujdestari ndonëse i ka gjashtë sosh të evidentuara në librin e kujdestarive.
Këto shkelje e shumë të tjera të kësaj natyre janë gjetur nga Auditori i Brendshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) në Spitalin e Mitrovicës, atë të Vushtrrisë, të Prizrenit dhe në Klinikat Vaskulare, të Ortopedisë e ORL-së.
I gjithë procesi i regjistrimit, evidentimit e pagesave të kujdestarive, ndërrimeve të natës e orëve shtesë të mjekëve dhe infermierëve në SHSKUK është një proces i tollovitur e me shumë shkelje e mangësi kritike, bazuar në gjetjet e Auditorit.
Të dhënat në librat e kujdestarive nuk përputhen me ato të shefave të reparteve dhe të financave.
Në shumë raste mjekët e infermierët nuk janë nënshkruar fare apo kanë shënuar vetëm emrin apo inicialet për orarin që kanë mbajtur.
Ky auditim ka përfshirë periudhën prej 01.01.2023 deri më 29.02.2024 dhe 85 mjekë e 85 infermierë në spitalet dhe klinikat e lartpërmendura.
“Në repartin e kirurgjisë (në Spitalin e Prizrenit) në 3 kujdestari nuk është nënshkruar mjeku kujdestar në librin e kujdestarive për muajin mars 2023, dhe infermierët që mbajnë ndërrime në asnjë ndërrim gjatë muajit nuk janë nënshkruar, por vetëm e shënojnë emrin pa mbiemër e pa nënshkrim” – thuhet në raport.
Në disa raste infermierët në Spitalin e Vushtrrisë janë nënshkruar në librin e infermieres kryesore, por jo në librin e ndërrimeve apo anasjelltas.
Krejt kjo situatë ka ndikuar edhe në pagesat e kompensimet e stafit.
Auditori ka gjetur disa raste kur janë paguar më shumë apo më pak kujdestari sesa ato që janë evidentuar nëpër libra.
“Në dy raste, sipas librave të kujdestarive, i kanë mbajtur dy kujdestari, ndërsa sipas listës nga reparti dhe financat janë kalkuluar dhe paguar tri kujdestari” – thotë raporti duke iu referuar Klinikës së Ortopedisë.
Një tjetër gjetje është se në Spitalin e Prizrenit, komisioni i brendshëm i ankesave është kompensuar/paguar në kundërshtim me Rregulloren numër 10/2023 për kompensime për funksionin shtesë.
Nga klinikat dhe spitalet që kanë qenë pjesë të mostrës, Klinika e ORL-së ka qenë e vetmja ku kujdestaritë e ndërrimet e natës janë mbajtur me rregull dhe janë paguar sipas evidencave. Megjithatë, aty Auditori ka gjetur se librat me këto të dhëna nuk janë nënshkruar nga shefi i repartit dhe infermieri kryesor, ashtu siç do të duhej.
“Administrata qendrore e SHSKUK-së ende nuk ka përfunduar një metodologji të standardizuar për llogaritjen e ndërrimeve në natës në të gjitha entitetet” – thuhet më tej në raport.
Auditori ka konkluduar që është e nevojshme që SHSKUK të zbatojë një sistem të besueshëm për dokumentimin dhe verifikimin e kujdestarive, ndërrimeve të natës dhe orëve shtesë dhe se ky sistem duhet të përfshijë nënshkrimin e detyrueshëm nga mjekët dhe infermierët dhe të sigurojë që librat e ndërrimeve të shqyrtohen dhe të nënshkruhen nga menaxherët përkatës.
I rëndësishëm është cilësuar edhe finalizimi i metodologjisë për llogaritjen e ndërrimeve.
Gjetjet e këtij raporti janë prezantuar edhe para drejtorit të SHSKUK-së, Elvir Azizi dhe bordit të SHKSUK-së, në njërën nga mbledhjet e tyre.
Kryesuesi i bordit, Dren Boshnjaku, dhe anëtarja Tetore Olloni kërkuan nga drejtori Azizi marrjen e masave dhe mbikëqyrjen e këtyre procedurave.
“Mendoj që kjo nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar” – tha Olloni.
Azizi tha se nuk është definitive nëse këta punonjës kanë munguar apo vetëm nuk janë evidentuar në libra.
“Ma shumë ka të bëjë me çështje procedurale sesa a ka qenë a s’ka qenë (në punë). Nëse ka shkelje, me të vërtetë do të merren masa” – u shpreh ai.
Boshnjaku pati një përgjigje në fund të diskutimit të kësaj çështjeje.
“Procedurat duhet të mbikëqyren dhe nëse nuk respektohen të merren masa se ne nuk shkojmë çdo ditë me e këqyrë a është mjeku aty a jo, por i këqyrim letrat” – tha ai.
Drejtori më tej shtoi se do të bëhet një plan i veprimit për të zbatuar rekomandimet e Auditorit.