Dy kryetarë punojnë nga objektet komunale, një nga Zyra për Komunitete

Kryetari Leposaviqit, Lulzim Hetemi, dhe ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, gjenden në objektet e komunave përkatëse, bëjnë të ditur burimet e Radios Evropa e Lirë.

Kryetari i Leposaviqit ka mbetur brenda objektit të komunës që nga dita e djeshme, për “arsye sigurie”.

Me gjithë përpjekjet, REL-i nuk arriti të bjerë në kontakt me Hetemin.

Ndërkaq, kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se është duke punuar nga Zyra për Komunitete në fshatin Lipë të kësaj komune, e jo nga objekti komunal.

“Këtu sot e kemi filluar punën… Tash, le ta shohim”, tha shkurtimisht ai më 30 maj.

Për të dytën ditë me radhë, serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë. Ata po kërkojnë po ashtu tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i shtetit.

Tensionet në veri u rritën në veri më 26 maj, kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, nën përcjelljen e policisë hynë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet, 30 trupa të KFOR-it u lënduan dhe dhjetëra protestues.

Pesë persona janë arrestuar pas përleshjeve në Zveçan.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunalë nëntorin e kaluar. Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.