Burgu i Dubravës (Ilustrim)

Dy kontrata për punime në dy burgje nuk kanë përfunduar që nga viti i kaluar

Dy kontrata të lidhura mes kompanive dhe Ministrisë së Drejtësisë në vlerë të 103 mijë e 354 euro për punime në Burgun e Dubravës dhe Qendrën e Paraburgimit në Gjilan nuk janë realizuar, ndërsa Auditori këto i ka identifikuar si gjetje në raportin e fundit të publikuar gjatë ditës së sotme.

Sipas kontratave publike të cilat lidhen mes kompanisë dhe një institucioni të caktuar për të kryer punë të caktuara koha e përfundimit të punimeve është 60 përkatësisht 90 ditë.

Gjatë auditimit të projekteve kapitale të Ministrisë së Drejtësisë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në dy raste janë identifikuar dy vonesa të realizimit të punimeve vlera e këtyre kontratave gjithsej e cila është mbi 103 mijë euro.

Vonesa sipas ZKA-së, pati në kontratën për renovimin e brendshëm të portës së re të Burgut të Dubravës, vlera e së cilës kap shifrën e 44 mijë e 862 euro.

Punimet për këtë portë është dashur të përfundojnë në shtator të vitit të kaluar ndërsa auditori ka potencuar se deri sa ishin në auditim më datë 12 prill të këtij viti, projekti kishte përfunduar vetëm 70 përqind.

Kontrata tjetër në vlerë të 58 mijë e 492 eurove për ndarjen e hyrjes për vizitorë në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan ishte paraparë që të përfundonte në tetor të vitit të kaluar.

Auditori ka gjetur se kjo kontratë ishte shkëputur dhe ishte kërkuar tërheqja e sigurimit të ekzekutimit pasi vetëm 30 përqind e punimeve kishin përfunduar.

Kjo vonesë në punë ishte bërë siç thuhet në raportin e ZKA-së për shkak se furnizimet kontraktohen ndërsa realizimin e punëve e bëjnë të burgosurit.

Vonesat sipas ZKA-së kishin ndodhur edhe për shkak të situatës pandemike.

ZKA ka konstatuar se vonesat në përfundimin e projekteve ndikojnë në mos arritjen e objektivave të përcaktuara dhe shkaktojnë vështirësi buxhetore për vitet pasuese.

Pra kjo mund të rris rrezikun për kosto shtesë për zhvillimin e procedurave të reja për kontraktim në rast të shkëputjes së kontratave.

Zyra e Auditorit ka rekomanduar që Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Shërbimin Korrektues të Kosovës të sigurojnë se është bërë një analizë e projekteve të filluara dhe të ndërmerren veprime të nevojshme për të siguruar realizimin e projekteve në bazë të kontratës së përcaktuar.