Dy javë nga Lufta në Ukrainë, zhvillimet e fundit

Sot është dita e 14-të e luftimeve në Ukrainë – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada. 

Me 24 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë.

Luftimet intenzive kanë vazhduar në shumicën e qyteteve. Rreth 5,000 njerëz janë evakuuar nga qyteti verilindor i Sumy, i cili ishte nën bombardimet e ashpra ruse për ditë të tëra.

Një korridor humanitar që u hap të martën do të vazhdojë të mërkurën, tha guvernatori i Sumy.

Moska ka shpallur një tjetër armëpushim humanitar për qytetet përfshirë Kievin dhe Mariupolin.

OKB thotë se dy milionë refugjatë janë larguar nga vendi që nga pushtimi i Rusisë.

Kurse, presidenti i ShBA, Joe Biden ka njoftuar për një ndalim të plotë të ShBA-së për importet ruse të naftës, gazit dhe qymyrit për t’i dhënë një “goditje të fuqishme”, presidentit rus,Vladimir Putinit.

McDonald’s, Starbucks dhe Coca-Cola janë bërë kompanitë e fundit perëndimore që kanë ndërprerë punën e tyre në Rusi.

Nëse sapo na jeni bashkangjitur, këto janë zhvillmet më të fundit gjatë ditës së djeshme dhe natës së mbrëmshme në Ukrainë:

Një evakuim i tensionuar dhe i shpejtë nga qyteti verilindor i Ukrainës, Sumy, ndodhi pasi një sulm ajror rus vrau 21 persona, thanë autoritetet ukrainase. Rreth 5,000 njerëz u larguan nga qyteti të martën, sipas një zyrtari ukrainas. Rreth 700 studentë indianë ia dolën gjithashtu, sipas autoriteteve indiane.

Rusia ka konfirmuar se ministri i saj i jashtëm Sergei Lavrov dhe homologu i tij ukrainas, Dmytro Kuleba, do të takohen në Turqi të enjten – takimi i tyre i parë që nga pushtimi rus i Ukrainës.

Moska bëri të ditur për një tjetër armëpushim për t’i lejuar civilët në qytetet nën sulm të largohen, sipas raportimeve të mediave shtetërore ruse. Korridoret do të vendosen përsëri për Kiev, Chernihev, Sumy, Kharkiv dhe Mariupol në orën 10:00 me kohën lokale.

ShBA-ja e ka refuzuar ofertën e Polonisë për t’i dërguar të gjithë avionët e saj luftarakë Mig-29 në Ukrainë përmes një baze ajrore amerikane në Gjermani. Një zëdhënës i Pentagonit thotë se një perspektivë e tillë ngre “shqetësime serioze” për NATO-n, ndërsa një ekspert ushtarak amerikan e quan planin e Polonisë “të hutuar”. Me fjalë tjera, Pentagoni hodhi poshtë propozimin e Polonisë për të transferuar avionët e saj luftarakë MiG-29 në SHBA për t’i dorëzuar Ukrainës, duke e quajtur atë të papranueshme.

ShBA-ja po dërgon dy bateri raketash ‘Patriot’ në Poloni si një “vendosje mbrojtëse” për ta kundërshtuar çdo kërcënim të mundshëm ndaj aleatëve të ShBA-së dhe NATO-s, tha një zëdhënës i Komandës Evropiane të ShBA-së. Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar për sanksione të reja kundër Rusisë, të cilat do t’u japin ministrave kompetenca për t’i ndaluar avionët rusë në Mbretërinë e Bashkuar, do ta bëjnë vepër penale fluturimin ose uljen atje dhe parandalimin e të gjitha eksporteve të aviacionit ose teknologjisë hapësinore në Mbretërinë e Bashkuar në Rusi.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka njoftuar një ndalim të plotë të ShBA-së për importet ruse të naftës, gazit dhe qymyrit për t’i dhënë një “goditje të fuqishme” Presidentit rus Vladimir Putin. Ky vendim është një hap që ai paralajmëroi se mund të çojë në një rritje të çmimeve të gazit. 

Po ashtu, edhe Mbretëria e Bashkuar tha se do ta heqë gradualisht “importin e naftës dhe produkteve të naftës ruse deri në fund të vitit 2022” dhe BE tha se planifikon të ulë importet e gazit rus me dy të tretat këtë vit dhe të heqë gradualisht varësinë para vitit 2030.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu drejtua Dhomës së Ulët të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, duke u kërkuar ligjvënësve të forcojnë sanksionet kundër Moskës. Duke i bërë jehonë fjalimit të famshëm të ish-kryeministrit britanik ëinston Churchill gjatë kohës së luftës, Zelensky tha: “Ne do të luftojmë deri në fund në det dhe në ajër. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për tokën tonë, pavarësisht nga kostoja.”

Forcat e Armatosura të Ukrainës thanë se “është e vështirë t’i besosh pushtuesit”, pasi Rusia njoftoi një armëpushim të ri duke filluar nga ora 10:00 me orën lokale të Moskës (09:00 sipas orës lokale ukrainase) të mërkurën. Rusia tha se është e gatshme të sigurojë korridore evakuimi nga Kievi, Chernihiv, Sumy, Kharkiv dhe Mariupol, së bashku me qytetet e tjera të negociuara me palën ukrainase.

Propozimi lidhur me armëpushimin vjen pasi ministri i jashtëm i Ukrainës tha se trupat ruse po mbajnë “peng” 300,000 civilë në qytetin jugor të rrethuar të Mariupolit, ku ai tha se një fëmijë vdiq nga dehidrimi. Autoritetet ukrainase thanë se një kolonë e shumëpritur e ndihmave humanitare për në qytet duket se është vënë nën breshërinë e zjarrit.

McDonald’s, Starbucks dhe Coca-Cola u bënë kompanitë e fundit perëndimore që ndaluan punën e tyre në Rusi.  /BBC, CNN, Sky News, Euronews