Një nga seancat e gjykimit ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, Foto: KALLXO.com

Dy ish-zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës dënohen me 3 vjet burg, obligohen t'ia kthejnë ministrisë rreth 30 mijë euro

Gjykata e Prishtinës ka dënuar me tre vjet burg dy ish-zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshin dhe Besim Tahirin për kepërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Bekteshit dhe Tahirit iu është shqiptuar dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbim publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve, edhe atë pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Ish-zyrtarët janë obliguar nga Gjykata e Prishtinës që t’ia kompensojnë Ministrisë së Infrastrukturës dëmin në vlerë 29,828 euro.

Sipas Gjykatës së Prishtinës, të akuzuarit do ta mbajnë dënimin nga dita kur aktgjykimi merr formë të prerë.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate.

Aktualisht, pozitën e zv.drejtorit të Përgjithshëm në AAC e mban Xhelil Bekteshi, i cili është emëruar në këtë pozitë më 27 janar të vitit 2017 nga Qeveria e Isa Mustafës, me propozim të ministrit të atëhershëm të Infrastrukturës, Lutfi Zharku.

KALLXO.com ka raportuar në muajin mars për një draft-Rregullore në të cilën Autoriteti i Aviacionit Civil kishte propozuar rritjen e numrit të punëtorëve.

Përveç dyfishimit dhe trefishimit të numrit të punëtorëve, në ndryshimin riorganizimin e propozuar parashihet edhe pozita e zv.drejtorit të AAC-së.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në komentet e saj për këtë rregullore kishte theksuar se pozita e zv.drejtorit nuk është paraparë as me Ligjin e Themelimit të AAC-së dhe as me Ligjin për Organizim dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore.

Sipas tyre, Ligji për organizim të brendshëm ka përcaktuar mbështetjen e drejtorit të Përgjithshëm me zv.drejtor vetëm për agjencitë ekzekutive, por jo edhe për ato rregullatore dhe të pavarura.

Po ashtu duke iu referuar numrit të vogël të të punësuarve në AAC, gjithsej 28, MPBAP ka theksuar se kjo pozitë duhet të shuhet.

Në kohën që Isa Mustafa e ka udhëhequr Komunën e Prishtinës, Xhelil Bekteshi ka qenë drejtor i Financave.

Para se të emërohej si zv.drejtor i Përgjithshëm në AAC, Xhelil Bekteshi e kishte mbajtur pozitën e sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës.

Më 29 janar të vitit 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit me pretendimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

I akuzuari Xhelil Bekteshi, sipas kësaj aktakuze thuhet se sa ishte në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se Bekteshi e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) V.R që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e Komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë – Kijevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016, në vend të datës reale 26 qershor 2016.

Sipas aktakuzës ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik me çmim të lartë 991,418 euro ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.