Dy gra e tre burra emërohen anëtarë të Këshillit të ri të Etikës të UP-së

Senati i Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e mbajtur më 27.11.2024 ka votuar anëtarët e Këshillit të ri të Etikës të UP-së.

Këshilli i ri i Etikës i UP-së përbëhet nga pesë anëtarë, të cilët janë: Flamur Hyseni, Rajmonda Nallbani- Komoni, Qëndrim Gashi, Safet Merovci dhe Furtuna Sheremeti.

Flamur Hyseni është profesor asistent në Fakultetin Juridik të UP-së, Rajmonda Nallbani- Komoni është profesoreshë asistente në Fakultetin e Mjekësisë në UP, Qëndrim Gashi është profesor i asocuar në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, Safet Merovci është profesor i rregullt në Fakultetin Ekonomik dhe Furtuna Sheremeti është asistente në Fakultetin Juridik në UP.

Senati i UP-së i ka votuar si anëtarë të Këshillit të Etikës të UP-së, ndërsa mbetet që të vendoset se kush do të jetë kryesues apo kryesuese e Këshillit.

“Më në fund e kemi një Këshill të Etikës të përbërë edhe nga burrat edhe nga gratë” – ka thënë rektori i UP-së, Arben Hajrullahu.

Votimi i emërimit të anëtarëve të Këshillit të Etikës të UP-së vjen pothuajse dy muaj pas përfundimit të mandatit të Këshillit të kaluar të Etikës, më 01.10.2024.

Në një konferencë për media të datës 08.11.2024, rektori i UP-së Arben Hajrullahu kishte treguar se 20 e më shumë profesorë të UP-së kanë shprehur interesim për të qenë pjesë e Këshillit të ri të Etikës të UP-së.

Ky interesim i profesorëve të UP-së për të qenë pjesë e Këshillit të Etikës të UP-së u shfaq përmes një email-i që rektori Hajrullahu ua kishte dërguar për të dytën herë stafit akademik të UP-së që të bëhen pjesë e Këshillit.

Në mbledhjen e Senatit të UP-së, më 30.10.2024, nuk u propozuan profesorë për t’i emëruar anëtarë të Këshillit të ri të Etikës të UP-së, pasi nuk doli të kishte mjaftueshëm profesorë që kishin pranuar të propozohen.

Rektori Hajrullahu kishte treguar gjatë mbledhjes së Senatit se i kishte kontaktuar disa profesorë e profesoresha të UP-së që të pranojnë për t’i propozuar për anëtarë të Këshillit të ri të Etikës të UP-së, por vetëm një profesor dhe një profesoreshë i janë përgjigjur pozitivisht.

Si rezultat i kësaj, Hajrullahu kishte thënë se do t’iu shkruante përsëri profesorëve e profesoreshave të UP-së për t’i pyetur nëse janë të interesuar të propozohen për anëtarë të Këshillit të Etikës të UP-së.

Ndonëse kishte thënë se nuk i njeh të gjithë stafin akademik të UP-së, pasi janë rreth 1,000 të punësuar, Hajrullahu kishte shpresuar se do të ketë përfaqësim nga të dy gjinitë në Këshill të Etikës të UP-së dhe të jenë njerëz me integritet dhe etikë.

Ai kishte ritheksuar se Këshilli i Etikës është Këshilli i këshillave dhe se shpresonte që ky Këshill të ekzistojë, por të ketë më së paku punë në Universitet.

Edhe në mbledhjen e Senatit të UP-së, më 30.10.2024, Hajrullahu kishte kërkuar që jo të gjithë anëtarët e Këshillit të Etikës të UP-së të jenë burra, e të krijohet “klub i burrave”.

Këshilli i Etikës i UP-së që i përfundoi mandati më 01.10.2024 përbëhej nga katër anëtarë burra: Iset Morina (kryesues) dhe anëtarët – Arben Hajdari, Skender Muji dhe Rrezeart Galica.