Dy ditë pas tensioneve në veri, policia po vazhdon angazhimet e situata raportohet e qetë

Dy ditë pasi kryetarët e rinj të Leposaviqit, Zubin Potokut e Zvecanit nën përcjellje të policisë arritën që të hyjnë brenda objekteve komunale e që e gjithë kjo situatë solli tension, situata gjatë ditës së sotme është raportuar e qetë në atë pjesë.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani për KALLXO.com ka konfirmuar se policia po vazhdon me angazhimet e saj.

“Situata e sigurisë së përgjithshme në vend është e qetë, një situatë e tillë edhe përkundër zhvillimeve të fundit, sot vazhdon të jetë qetë edhe në veri të vendit, ku Policia e Kosovës po kryen detyrat dhe angazhimet e saja me njësitet relevante policore”- tha Kelani për KALLXO.com.

Mëngjesin e së premtes, kryetarët e tri komunave në veri të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok e Zvecan, tentuan që të futeshin brenda objekteve komunale por që kjo fillimisht u pengua pasi në oborret e këtyre komunave ishin mbledhur dhjetëra qytetarë të cilët në formë proteste penguan kryetarët.

E më pas ishte Policia e Kosovës e cila me njësitet e saj, ofroi siguri dhe mundësoi që kryetarët Izmir Zeqiri kryetar i ri i Zubin Potokut, Ilir Peci kryetar në Zveçan e Lulzim Hetemi në Leposaviq të futeshin brenda objektit të komunës për të ushtruar detyrat e tyre si udhëheqës të këtyre komunave.

Por kjo situatë rriti tensionet sidomos në Zveçan e Leposaviq. Në këto dy komuna policia përdori edhe gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën e cila ishte mbledhur atje.

KALLXO.com ka përcjellë nga afër të gjitha zhvillimet që ndodhën në pjesën e veriut të Kosovës gjatë dy ditëve të fundit.

Pesë polic kishin marrë lëndime trupore të lehta nga përballja me turmën që ishin mbledhur në komunat Leposaviq e Zveçan.

Persona të dyshuar, kanë demoluar edhe vetura të policisë madje njërës ia kanë vërë flakën.

Vetura e Policisë së Kosovës e bërë shkrumb e hi në Zveçan | Foto: KALLXO.com

Përveç veturave të policisë, u dëmtuan edhe vetura të gazetarëve që po raportonin atje.

Mes turmave u panë edhe persona të maskuar të cilët gjuanin me gurë në drejtim të policisë. Në këto ngjarje u dëgjuan edhe të shtëna armësh. Në Leposaviq, një grup personash vendosën 3 barrikada për të bllokuar hyrjen e komunës.

Policia e Kosovës e vendosur në Leposaviq | Foto Kallxo.com

Makineritë e rënda u larguan nga rruga dhe u mundësua më pas edhe qarkullimi. Largimin e bënë njësitet policorë të cilët edhe sot janë parë në afërsi të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, deri sa po ofrojnë rend dhe siguri.

Automjete të rënda në Leposaviq, Foto:KALLXO.com

Nga dita e nesërme pritet që kryetarët të dalin nëpër vendet e tyre të punës pra në komunat e lartëpërmendura, që të kryejnë detyrat e tyre.

Situata e së premtës solli reagime të ndryshme e të ashpra.

Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, ka komentuar deklaratën e sekretarit amerikan Anthony Blinken lidhur me situatën në veri të Kosovës.

Kongresisti amerikan është shprehur i zhgënjyer nga deklarata e sekretarit Blinken që kritikoi vendimin e autoriteteve kosovare që kryetarët e tri komunave të shkojnë të ushtrojnë detyrën në objektet e Komunës.

Torres përmendi faktin që Kosova ishte e para që pranoi refugjatët afganë, gjë që ishte kërkesë e ShBA-ve.

“Kosova është një aleat i palëkundur i SHBA-së. Kur SHBA-ve u duheshin vende për të pranuar refugjatët afganë, Kosova ishte e para dhe ndër të paktat që u ngrit në këtë rast. Është zhgënjyese për mua dhe për votuesit e mi shqiptarë të shoh Sekretarin Blinken të sulmojë publikisht një aleat të SHBA-së” – ka shkruar kongresisti amerikan në Twitter.

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin gjatë ditës së djeshme ka qenë në Mitrovicë, ku në një deklaratë për media tha se nuk duhet të humbur shansin që e ofron Marrëveshja e Ohrit.

“Dje kam vendosur në mënyrë spontane që të vij në Kosovë, pas zhvillimeve për çka kemi qenë shumë të shqetësuar dhe dua të them se dita e djeshme ka qenë një ditë mjaftë e rëndë, mjaft e keqe për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha Sarrazin.

Ai tha se marrëveshja e arritur në Ohër me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, përfaqësuesit të jashtëm Borrell dhe emisarit Lajcak është mundësi e mirë për gjithë rajonin e sidomos Kosovën dhe Serbinë për paqe dhe qetësi dhe se nuk duhet të lëshuar shansin, mundësitë, që i ofron Marrëveshja e Ohrit, për hirë të disa vendimeve të pamenduara mirë.

“Porosia jonë është se ne nuk do të lejojmë që këto mundësi nga marrëveshja e Ohrit të hedhen poshtë nga ndonjë budallallëk”, ka thënë ai.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka deklaruar se është duke monitoruar nga afër situatën në komunat në veri të Kosovës, pas zhvillimet atje për shkak të hyrjes së kryetarëve të posazgjedhur në ndërtesat e komunave.

KFOR në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për procesin e normalizimit dhe rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.

Gjithashtu, KFOR-i thotë se dënon me vendosmëri “këto akte të njëanshme” dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund të kërcënojë sigurinë në Kosovë.

“KFOR-i është duke monitoruar nga afër situatën në Komunat në veri të Kosovës ku janë shkaktuar një sërë përplasjesh nga hyrja e dhunshme e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat e komunave. Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për procesin e normalizimit dhe rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”

Aleanca ushtarake e NATO-s i  ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të “shtensionojnë” menjëherë situatën në veri të vendit.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu thotë se i bëjnë thirrje të gjitha palëve që të zgjidhin situatën përmes dialogut.

“Ne u bëjmë thirrje institucioneve në Kosovë të shtensionojnë menjëherë situatën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zgjidhin situatën përmes dialogut. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të jetë vigjilent dhe të ofrojë mjedis të sigurt” – ka shkruar në Twitter ajo.