Foto: Gent Cakaj/Facebook

Dy diplomatë iranianë dëbohen nga Shqipëria

Pas acarimit të situatës në Lindjen e Mesme, Ministri në Detyrë Gent Cakaj deklaroi se vendi ynë ka shpallur non grata dy diplomatë të lartë dhe i ka kërkuar të largohen nga vendi.

Cakaj e bëri njoftimin e përzënies së dy diplomatëve në një postim në rrjetin social Facebook ndërsa sugjeroi se dy personat kanë kryer në Shqipëri aktivitet “në mospërputhje me statusin e tyre”, duke sugjeruar në këtë mënyrë aktivitet spiunazhi.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka vendosur sot, që përfaqësuesit diplomatikë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri, z. Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe z. Seyed Ahmad Hosseini Alast, të shpallen persona të padëshirueshëm, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike,” deklaroi Cakaj pasditen e së mërkurës.

“Dy përfaqësuesve të Republikës Islamike të Iranit ju është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë,” shtoi ai.

Ambasada e Iranit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së BIRN për koment.

Kjo është hera e dytë në pak më shumë se një vit që Shqipëria përzë diplomatë iranianë. Në dhjetor 2018, dy diplomatë të tjerë të Iranit u përzunë nga Shqipëria pas dyshimeve se po përgatisnin sulm terrorist, natyra e të cilit nuk u bë publike.

Shqipëria e ka gjetur veten përballë Iranit për shkak se pranoi në vitin 2013 të presë një grup opozitar iranian të quajtur Mojahedin-e-Khalq, MEK, të cilët u transferuan në Shqipëri nga Iraku. Që nga ajo kohë, një numër prej disa mijërash anëtarë të MEK janë vendosur në Shqipëri. Më herët ata jetonin në Irak, ku ishin pjesë e luftës Iran-Irak dhe që luftonin nga ana e Irakut.

MEK pranoi të çarmatosej gjatë pushtimit amerikan të Irakut por u vunë gjithnjë e më shumë nën rrezik për shkak se qeveria e Irakut ra nën ndikimin e fortë të Iranit.

Pas ashpërsimit të situatës në Lindjen e Mesme si pasojë e vendimit të presidentit amerikan Donald Trump të vrasë gjeneralin iranian Qasem Soleimani, në fillim të janarit, udhëheqësi shpirtëror i Iranit Ayatollah Khamenei iu referua “një vendi të vogël djallëzor në Europë” si strehues i “tradhëtarëve” të Iranit, gjë që u interpretua si një referim ndaj Shqipërisë/Reporter.al