Gjykimi ndaj Naser Pajazitajt

Gjykimi për vrasjen e Donjeta Pajazitajt - Foto: KALLXO.com

Dy dëshmitarë dëgjohen në gjykimin e tretë për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Naser Pajazitaj, i cili akuzohet se e ka vrarë Donjeta Pajazitajn, ka dalë sërish para Gjykatës për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë së Pejes.

Ai akuzohet se në mënyrë dinake e kishte vrarë Donjeta Pajazitajn, e cila ishte duke shkuar në punë.

Sipas Prokurorisë, përderisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalë me veturë dhe e kishte marrë dhe e kishte dërguar te vendi ‘Kroi i lajthisë’, ku më pas me dy plumba në kokë e kishte privuar nga jeta.

Por, Gjykata e Pejës në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila ka vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Tutje, Gjykata e Pejes kishte kërkuar që të përjashtohet nga ky rast pasi kishte marrë dy vendime skajshmërisht të ndryshme me njëri-tjetrin, me njërin duke e liruar, kurse me vendimin tjeter e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Tani, pasi Gjykata Supreme i kishte prishur të dy vendimet e Gjykates se Pejës (edhe atë të lirimit edhe atë të dënimit me burgim të përjetshëm), lënda është duke u gjykuar në Gjykatën e Ferizajt.

Në seancen e sotme u dëgjua dëshmitari Qamil Pajazitaj, i cili tha se ka dhënë deklaratë në shqyrtimet e kaluara dhe qëndron pranë tyre.

“Gjithë jetën time u qëndroj pranë deklaratave që i kam dhënë në Gjykatën e Pejës, pa asnjë ndryshim. Ditën kur ka vdekur një person në fshatin tonë, duke shkuar në varrim, e kam takuar Donjetën dhe më ka thënë se ku po shkon, unë i kam thënë në varrim të Shefqetit. E pyeta se ku po shkon ti, ajo më tha se po shkon në punë. Donjeta pastaj e ka vazhduar rrugen e saj nëpër rrugen që shkon në lagjen Jusaj, kurse unë kam vazhduar për te varrezat”, tha dëshmitari Qamil Pajazitaj.

Tutje dëshmitari Pajazitaj tha se në varrim nuk i kujtohet që e ka parë të akuzuarin Naser Pajazitaj, por aty kishte parë vëllezërit e Naserit, Kadriun dhe Nusretin.

“Asnjëherë nuk e kam parë Donjetën në veturën xhip të cilën e posedon Naseri. Ai më shumë e përdor një veturë tjetër më të vogël. Xhipin e përdor më shumë për të shkuar në bjeshkë”, tha tutja dëshmitari Pajazitaj.

Tutje në seancë u dëgjua si dëshmitar zyrtari policor Albërim Mujaj, i cili tha se në vitin 2015 ka punuar si shef i sektorit të hetimeve në stacionin policor në Deçan.

“Rasti i të ndjerës Donjeta fillimisht ka qenë i lajmëruar si rast i zhdukjes së një personi. Në bashkëpunim me anëtarët e familjes dhe me Prokurorinë kemi punuar deri sa është gjetur trupi i pajetë i të ndjerës. Pasi e kemi gjetur trupin e pajetë rasti ka kaluar në njësinë rajonale në Pejë”, tha dëshmitari Mujaj.

Tutje Mujaj tha se pasi rasti i ka kaluar Pejës, ai ka shkuar në vendin ku është gjetur trupi i të ndjerës Donjeta Pajazitaj por më vonë dhe jo në momentin kur është gjetur e ndjera.

“Kemi pasur informacion nga inteligjenca se një dëshmitar e ka parë një vajzë duke hipur në veturën e të akuzuarit, por ai e ka përshkruar atë si një “vajzë me flokë të bardha“ dhe si “mësuesja”. Informacioni ishte se ai dëshmitar nuk do të tregonte rastin pasi ishte i afërm me të akuzuarin”, tha tutje dëshmitari Albërim Mujaj, i cili u mor në pyetje deri në përfundim të orarit të punës të Gjykatës.

Shqyrtimi në këtë rast do të vazhdojë më 17 dhjetor.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.