Dy deputetë të Partisë Guxo dalin kundër vendimit të Qeverisë, kërkojnë që mësimdhënësve grevistë t'u jepen rrogat

Dy deputetë të Partisë Guxo, subjekt që është pjesë e grupit parlamentar të LVV-së, nuk po pajtohen me vendimin e Qeverisë për të mos ua dhënë pagat e shtatorit mësimdhënësve grevistë.

“Sa i përket grevës së sindikalistëve, më vjen mirë që më në fund nxënësit i janë kthyer bankave shkollore. Por,  nuk mund të pajtohem me mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit për muajin shtator”, ka shkruar Jeta Statovci në Facebook.

Statovci, e cila është pjesë e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka theksuar se pavarësisht kërkesave që i kanë pasur për grevën, mësimdhënësit duhet të marrin pagën e tyre.

“Pavarësisht se a ishin të drejta kërkesat e tyre dhe bllokada që ata krijuan, atyre duhet t’u ekzekutohet paga, sidomos kur jemi në një situatë ku shumë familje përballen me rritje të çmimeve dhe po i afrohemi dimrit të ashpër” – ka theksuar ajo.

Edhe deputeti tjetër i Partisë Guxo, Haxhi Avdyli, ka thënë se është kundër mosekzekutimit të pagave për mësimdhënësit grevistë.

Avdyli përmes një postimi në Facebook i është bashkuar kërkesës së bashkëpartiakes së tij, Jeta Statovcit, që mësimdhënësve grevistë t’u jepen pagat.

“Udhëheqësit e SBASHK-ut devijuan tërësisht nga idetë sindikale. Por përkundër kësaj prapë mendoj që pagat duhet të paguhen. Për hir të arsimit, nxënësve, arsimtarëve të ndershëm, familjeve të tyre, por edhe qytetarëve që duan qetësi në institucione e cilësi në arsim, sot i bashkohem thirrjes për lëshimin e pagave për mësimdhënësit grevistë” – ka thënë ai.

Një muaj me vonesë sot në Kosovë ka filluar mësimi i rregullt, kjo pasi që nga shtatori mësimdhënësit kanë hyrë në grevë duke kërkuar rritjen e pagës për 100 euro, deri në miratimin e  Ligjit të pagave.

Ndërsa sot nga Qeveria kanë bërë të ditur se grevistët nuk do të marrin pagën e shtatorit.

Qeveria konfirmon se vetëm ata që kanë punuar do të marrin pagat e shtatorit