Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dy dënime në 3 vitet e fundit: Dilema se a do të lejohet kandidimi i Sami Lushtakut?

Kandidati i shpallur për kryetar të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku është dënuar dy herë brenda tre viteve të fundit për dy vepra penale.

Dënimi i parë i marrë ndaj tij është bërë në prillin e vitit të kaluar ku u dënua me 12 mijë euro gjobë për arratisjen nga “Burgu i Dubravës”, ndërsa i fundit në tetor të vitit të kaluar për kanosjen ndaj avokatit Gazmend Halilaj.

Të dy këto vendime janë bërë të plotfuqishme pasi janë vërtetuar nga instancat më të larta.

Për të parin ka vendosur edhe Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës e cila dënimin prej 12 mijë euro e konsideroj si të drejtë, përderisa dënimi i dytë prej 2 mijë euro gjobë për kanosjen e avokatit u vërtetua nga Gjykata e Apelit.

Këto dy dënime mund t’i dalin pengesë Sami Lushtakut në rrugëtimin e tij për ta rimarrë në dorë drejtimin e Komunës së Skenderajt.

Sipas ligjit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës, kandidatët për kryetar duhet t’i plotësojnë kriteret e ligjit për zgjedhjen e përgjithshme në mënyrë që të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhje.

Ndërkaq, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme të Republikës së Kosovës, neni 29, pika Q, ka përcaktuar se një kandidat nuk mund të certifikohet në rast se është shpallur fajtor me ndonjë vendim përfundimtar në tre vitet e fundit.

q)i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit;

Kjo pikë e nenit 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme kishte bërë bujë në gjithë vendin pasi kishte rrëzuar një Qeveri si rezultat i votës së deputetit Etem Arifi i cili kishte qenë i dënuar në tre vitet e fundit.

Vendimin për rrëzimin e Qeverisë e kishte marrë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës kur kishte vlerësuar votën e deputetit Etem Arifi për qeverinë “Hoti”.

Sipas Kushtetueses, asnjë person nuk mund të jetë kandidat për deputet për zgjedhjet për Kuvend, nëse është dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit.

Për këtë arsye, pak muaj më vonë, KQZ nuk e kishte certifikuar as kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe as disa kandidat për deputet të cilët kishin qenë të dënuar me vendime të plotfuqishme gjyqësore.

Mirëpo sipas Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtakut nuk mund t’i ndalohet kandidatura pasi ndaj tij nuk po zhvillohet asnjë procedurë gjyqësore.

Sipas PDK-së, aktgjykimi i Kushtetueses për rastin e deputetit Etem Arifi nuk ka të bëjë me rastin e Sami Lushtakut.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin e deputetit Etem Arifi, ka të bëjë vetëm me kandidatët për deputetë të Parlamentit të Kosovës, me qëllim që në përbërjen e Parlamentit të Kosovës si organi më i lartë ligjvënës, të mos ketë përfaqësues me precedentë penalë, prandaj ky aktgjykim nuk ka të bëjë fare me kandidatët për kryetar komunash dhe si i tillë nuk mund të merret për bazë me rastin e çertifikimit të kandidatëve për zgjedhje lokale”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Për çfarë u dënua Sami Lushtaku?

Lushtaku u shpall fajtor pasi gjatë kohës sa po e vuante dënimin në rastin “Drenica”, ishte arratisur dy herë nga burgu.

Arratisjen e parë e kishte bërë në muajin gusht të vitit 2015 pasi kishte qëndruar për rreth 9 orë i pashoqëruar nga oficerët korrektues dhe ishte arratisur nga Burgu i Dubravës për në shtëpinë e tij në lagjen Dragodan në Prishtinë.

Të njëjtin veprim është vërtetuar se e kishte bërë edhe më 22 shtator të vitit 2015 kur për rreth 3 orë e gjysmë kishte qëndruar i pashoqëruar nga stafi korrektues.

Rasti i dytë për të cilin u dënua, Sami Lushtaku ka të bëjë me kërcënimin e avokatit Gazmend Halilaj.

Për këtë kërcënim ish kreu i Skenderajt e kishte pranuar fajësinë në Gjykatën e Prishtinës.

Ai u dënua pasi i kishte thënë avokatit “Ku je se pa ardhë me t’kallë nuk kam me lënë”.

KALLXO.com, ka raportuar nga të gjitha proceset gjyqësore në të cilat u gjykua, Sami Lushtaku.

Sami Lushtaku pranon fajësinë për kërcënimin e avokatit Gazmend Halilaj