Dy dekada më pas, Hashim Thaçi mund të dalë më në fund në gjyq

Aktakuza e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila akuzon presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, ishte një veprim i shumëpritur që vjen pas dy dekadash investigime për shkelje të pretenduara gjatë kohës së luftës.

 

Nuk ishte rastësi për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili u akuzua për krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera lufte gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Të mërkurën ai hipi në avionin e tij dhe u nis për në Uashington, për një takim të shumëpritur me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç,dhe të dërguarin special të SHBA-së, Richard Grenell, për të diskutuar mbi statusin e ardhshëm të Kosovës.

Ndërsa ai përgatiste pikat të cilave do t’i referohej diku në qiejt mbi Europë, njoftimi për shtyp nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës njoftoi se ai ishte personi i parë që për të cilin dihet publikisht se është ngritur një aktakuzë për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë të personave, persekutim dhe tortura.

Aktakuza vjen pasi luftëtari veteran i kthyer në politikan, i cili ka mbajtur nën kontroll vendimmarrjen në Kosovë pas përfundimit të luftës në vitin 1999, rrëzoi qeverinë e kundërshtarit të tij Albin Kurti pas disa muajsh luftë, krijoi jë qeveri të re kukull në vend të saj dhe ishte gati të finalizonte një “marrëveshje shekulli” me Serbinë dhe aleatët saj amerikanë.

Vitin e kaluar, Thaçi është takuar vazhdimisht me diplomatë, miq të fuqishëm, politikanë dhe avokatë me qëllim që të heqë një problem të mundshëm që ka mbizotëruar në axhendën e tij pesë vitet e fundit – Dhomat e Specializuara të Kosovës, një gjykatë hibride me seli në Hagë, e ngritur për të gjykuar ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, të cilën Thaçi e drejtoi gjatë luftës kundër sundimit shtypës të Serbisë.

Presioni ishte i jashtëzakonshëm dhe prokurori në Hagë, i cili nuk ka folur për ata që do të dalin në gjyq, tha se ai e kishte nxjerrë “këtë njoftim publik të akuzave për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit për të penguar dhe dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës, në përpjekje për t’u siguruar që ai të mos përballet me drejtësinë”.

Sipas prokurorit Jack Smith, Thaçi dhe aleatët e tij të afërt “vendosin interesat e tyre personale përpara viktimave të krimeve të tyre, sundimit të ligjit dhe të gjithë popujve të Kosovës”.

Aktakuza, e ngritur në ditëlindjen e 52-të të Thaçit, më 24 prill, pretendon se ai dhe të tjerë janë përgjegjës për rreth 100 vrasje. Krimet e tjera të pretenduara në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të njohura shqiptarësh, serbësh, romësh dhe të etnive të tjera të Kosovës, dhe përfshijnë edhe kundërshtarë politikë shqiptarë të Kosovës.

Aktakuza bëri që Thaçi të ndërpriste udhëtimin e tij dhe të anulonte takimin në Uashington, por vetëm pasi një gjyqtar i procedurës paraprake të konfirmojë aktakuzën e paraqitur në prill nga ana e prokurorisë, ai do të mund të vihet pas hekurave për të pritur gjykimin.

Kjo mund të ndodhë nesër ose e shumta këtë vjeshtë. Gjyqtari i procedurës paraprake ka gjashtë muaj kohë nga data 24 prill, që është data kur u dorëzua aktakuza, për ta konfirmuar, refuzuar apo për të kërkuar ndryshime të saj.

Studenti i historisë që shkroi historinë e Kosovës

Presidenti i Kosovës e ka konfirmuar veten si një njeri taktik dhe i zgjuar, në gjendje të shmangë kundërshtarët dhe ka mbizotëruar në politikën e Kosovës që nga përfundimi i luftës – duke qenë në fillim kryeministër, ministër i jashtëm dhe tani president. Ai dhe Partia e tij Demokratike e Kosovës, PDK, kanë mbajtur fort pothuajse çdo aspekt të jetës politike në ish-provincën serbe për dy dekada me radhë.

Lindur në vitin 1968 në një familje fermerësh në fshatin Burojë në luginën e Drenicës, Thaçi ishte i shtati nga nëntë fëmijët. Ai studioi histori në Universitetin e Prishtinës dhe, nga fundi i viteve 1980, u përfshi në Lëvizjen e Popullit të Kosovës, LPK. Ky ishte një formacion politik i paligjshëm në ish-Jugosllavi, një shtet njëpartiak që qeverisej nga Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë deri në 1990.

E themeluar në vitin 1982, LPK u përpoq të bashkonte Kosovën me Shqipërinë fqinje, në atë kohë gjithashtu një shtet komunist. Për shkak të veprimtarive të tij në LPK, Thaçi u largua nga Jugosllavia në vitin 1993 dhe mori azil politik në Zvicër, ku u bë anëtar themelues i një organizate që kishte lidhje me të, UÇK-ja.

Ai shkonte shpesh në Kosovë, duke e kaluar kufirin ilegalisht, për të punuar në organizimin e strukturës së UÇK-së në emër të LPK-së. Shumica e anëtarëve të UÇK-së vinin nga LPK-ja tani e shpërbërë.

Deri në vitin 1997, Thaçi drejtonte krahun politik të UÇK-së dhe kështu luajti një rol kryesor në artikulimin e ambicieve politike të shqiptarëve të Kosovës në atë që tani ishte një luftë e armatosur kundër sundimit të Beogradit.

Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 në konfliktin e përkeqësuar dhe një fushatë bombardimi që shënjestroi pozicionet serbe, i dha fund luftës në Kosovë, ndërkohë që Serbia tërhoqi forcat e saj.

Me Kosovën që tani administrohej nga një mision i Kombeve të Bashkuara, UNMIK, Thaçi pranoi të shpërbënte qeverinë e përkohshme dhe luajti një rol kryesor në shpërbërjen e UÇK-së.

Në fund të vitit 1999, ai u zgjodh kryetar i Partisë së re për Progres Demokratik, që shpejt u riemërua Partia Demokratike e Kosovës, PDK. Që atëherë, Thaçi u bë një nga bashkëbiseduesit më të rëndësishëm për diplomatët ndërkombëtarë, sidomos kur bëhej fjalë për garantimin që të gjithë t’i përmbaheshin politikës ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë këtu edhe ish-fraksionet e UÇK-së nën kontrollin ose ndikimin e Thaçit.

Ai qe shkurtimisht në opozitë nga viti 2001 deri në vitin 2004, por u kthye si kryeministër në janar 2008. Menjëherë pas kësaj, më 17 shkurt 2008, ai lexoi deklaratën e pavarësisë së Kosovës, të miratuar nga shumica e kuvendit të Kosovës, duke u bërë kështu një nga më të figura të rëndësishme në historinë e Kosovës.

PDK-ja i fitoi zgjedhjet tre herë radhazi, në vitin 2007, 2010 dhe 2014. Thaçi shërbeu si kryeministër dy herë, midis vitit 2008 dhe 2010 dhe midis vitit 2011 dhe 2014.

Për të përmbushur rregullin kushtetues që përcakton se kreu i shtetit nuk mund të mbajë poste të tjera publike, si president, Thaçi dha dorëheqjen nga posti i kreut të PDK-së. Ai u pasua nga aleati i tij i ngushtë, ish-kryetari i kuvendit, Kadri Veseli, tani gjithashtu i paditur për krime lufte.

Nga kujtimet e Carla Pontes tek akuzat për trafik organesh

Opinioni publik për arritjen politike të Thaçit është i ndarë. Për shumë kosovarë, ai është themeluesi i shtetit më të ri të Europës. Për të tjerët, ai është një politikan i korruptuar që ka penguar shndërrimin e Kosovës në demokraci. Për komunitetin ndërkombëtar, ai ka qenë pothuajse gjithmonë një partner i besueshëm.

Për serbët, ai ka qenë gjithmonë një kriminel lufte, përgjegjës për përndjekjen e serbëve në Kosovë, gjë e cila çoi në ngritjen e aktakuzës së parë kundër tij për krime lufte para gjykatave në Serbi.

Urdhri për arrestimin e Thaçit, i nxjerrë në fillim të vitit 2000, nuk u mor kurrë seriozisht nga ndërkombëtarët, për shkak të njëanshmërisë së dukshme të Beogradit. Pasi mbaroi lufta, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, nisi ngritjen e aktakuzave kundër liderëve të ndryshëm, oficerëve të ushtrisë, policisë dhe ushtarëve nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë. Por Thaçi shpëtoi. Emri i tij nuk ishte kurrë nëpër lista, pavarësisht fjalëve se ai po hetohej.

Dështimi për hetimin e liderëve të UÇK-së doli në fokus vetëm pasi ish-kryeprokurorja e ICTY-së, Carla del Ponte, publikoi kujtimet e saj. Në to, ajo tha se “hetimi i luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte më frustrues nga të gjitha hetimet e bëra nga ICTY-ja”. Del Ponte qe gjithashtu e para që foli hapur për problemet përsa i takon kanosjes së dëshmitarëve me të cilat ishte përballur ajo dhe ekipi i saj në këto raste.

Në librin e saj, “Madame Prosecutor”, botuar në vitin 2009, ajo shkroi: “Dëshmitarët ishin aq të frikësuar dhe të kanosur, saqë madje kishin frikë të flisnin qoftë edhe për praninë e UÇK-së në disa zona, për të mos përmendur krimet aktuale”. Ajo shtoi: “Ata që ishin të gatshëm të dëshmonin u desh të transferoheshin në vende të tjera së bashku me familjet e tyre dhe shumë shtete nuk ishin të gatshme t’i pranonin.”

Pas luftës në 1999, Kosovës i mungonte një forcë e duhur policore dhe forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë, KFOR-i, dhe e misionit të Kombeve të Bashkuara, UNMIK, nuk garantonin dot siguri. “Jam i bindur se UNMIK-u dhe madje edhe oficerët e KFOR-it kishin frikë për jetën e tyre dhe jetën e anëtarëve të misioneve të tyre. Unë mendoj se disa nga gjyqtarët e ICTY-së kishin frikë mos ktheheshin në shënjestër të shqiptarëve”, shkroi Del Ponte.

Bazuar në kujtimet  saj, u nis një hetim i udhëhequr nga raportuesi zviceran Dick Marty. Janari 2011 shënoi fillimin e asaj që ishte ndoshta periudha më e vështirë e Thaçit në politikë, kur Këshilli i Europës miratoi raportin e Dick Marty. Ai akuzoi lidershipin e UÇK-së, përfshirë Thaçin, i cili në atë kohë ishte kryeministër, për përfshirje në “trafikim organesh, rrëmbime dhe keqtrajtime të të ndaluarve” gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

Raporti dhe hetimet pasuese të udhëhequra nga BE-ja çuan në krijimin e një gjykate të re, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, e ngarkuar të hetojë krimet që dyshohet se janë kryer nga UÇK-ja kundër civilëve dhe bashkëpunëtorëve të dyshuar me ish-regjimin jugosllav.

Prokurorët e rinj po ndjekin një strategji ndryshe

Ajo që është e qartë nga deklarata e prokurorit Smith, në mungesë të aktakuzës së plotë prej dhjetë pikash, është se kjo prokurori ka ndjekur një strategji ndryshe nga paraardhësit e saj në ICTY.

Prokurorët e ICTY-së i akuzuan ish-anëtarët e UÇK-së kryesisht për krime të izoluara, duke u përqendruar në ngjarje të caktuara dhe më pas duke u përpjekur të provojnë lidhjet midis të paditurit dhe krimit specifik. Kjo çoi në probleme me dëshmitarët, sidomos pasi ata shpesh ndryshuan dëshminë e tyre. Dokumentacioni ishte gjithashtu i dobët, duke marrë parasysh natyrën guerile të UÇK-së. Rezultati ishte një pamundësi për të siguruar prova përfundimtare që vërtetojnë “përgjegjësinë e komandës” të atyre që në gjyq.

Prokurori Smith dhe ekipi i tij, shumë prej të cilëve janë prokurorë veteranë nga ICTY, tani po fokusohen në fushata në shkallë të gjerë vrasjesh dhe persekutimi – dhe po përpiqen të vërtetojnë se si lider i UÇK-së, Thaçi nuk ishte përgjegjës vetëm për krime lufte, por gjithashtu edhe për krime kundër njerëzimit.

Krimet kundër njerëzimit i referohen krimeve të kryera në kontekstin e sulmeve të përhapura ose sistematike kundër civilëve ose pjesëve të identifikueshme të popullatës civile, dhe mund të kryhen në kohë paqeje, jo vetëm gjatë konflikteve, siç ndodh me krimet e luftës.

Aktakuza pretendon se Thaçi, Veseli dhe të dyshuar të tjerë të akuzuar janë penalisht përgjegjës për rreth 100 vrasje. Krimet e pretenduara në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të njohura shqiptarësh, serbësh, romësh dhe të etnive të tjera të Kosovës, si edhe përfshijnë edhe kundërshtarë politikë. Ato përfshijnë gjithashtu zhdukjen me forcë të personave, persekutim dhe tortura.

Shkalla e krimeve që i janë atribuar ish-lidershipit të UÇK-së fillimisht u zbulua në vitin 2014 nga ish-prokurori Clint Williamson. Sipas ekipit të tij, disa elementë të UÇK-së synuan qëllimisht pakica etnike me akte të tilla si persekutimi. Këto përfshinin vrasje, dëbime, trajtime çnjerëzore, rrëmbime dhe ndalime të paligjshme në kampe në Kosovë dhe Shqipëri, shkatërrim të vendeve fetare dhe spastrim etnik të zonave të caktuara.

Williamson pohoi se kishte prova gjithashtu që tregonin se në 1998 dhe 1999, UÇK-ja ishte e angazhuar në një fushatë të vazhdueshme dhune dhe kanosjesh ndaj kundërshtarëve të saj politikë shqiptarë të Kosovës, të cilat përfshinin vrasje jashtëgjyqësore, kanosje dhe tortura.

Ditë në gjyq për viktimat, ose përndjekje politike

Njoftimi për këtë aktakuzë erdhi si bombë në një rajon tashmë të trazuar nga mungesa e stabilitetit dhe trazirat që janë shtuar gjatë pandemisë së fundit. BE-ja dhe SHBA-ja bënë veçmas deklarata në mbështetje të punës së prokurorisë dhe duke argumentuar se aktakuza të tilla janë rruga drejt pajtimit në rajon.

Por për politikanët në Kosovë, lëvizja për të paditur Thaçin ishte thjesht politikë dhe ishte e padrejtë.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili u thirr edhe vetë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar vitin e kaluar si i dyshuar, tha: “UÇK-ja zhvilloi një luftë të pastër, e cila solli lirinë dhe krijimin e Republikës së Kosovës. Ne besojmë në pafajësinë e presidentit Thaçi, z.Veseli dhe të gjithë shokëve të tjerë.”

Kreu i PDK-së, Veseli, personi tjetër i përmendur në aktakuzë, ishte i pari që iu përgjigj njoftimit nga Dhomat e Specializuara: “Akuzat janë totalisht të pabazuara. Nuk është gjithashtu e vërtetë që kemi kërcënuar gjykatën”, tha ai.

“Jam i shqetësuar se motivet e vërteta të prokurorit janë politike. Duke pasur parasysh kohën, disa ditë përpara takimit në Shtëpinë e Bardhë… Njerëzit kanë të drejtë të dyshojnë se kjo nuk ishte aspak rastësi”, shtoi Veseli.

Grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si Human Rights Watch thanë se aktakuza ndaj Thaçit dhe ish-liderëve të tjerë të UÇK-së do të çonin para drejtësinë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë 1998-1999.

Por ata paralajmëruan se një sfidë kryesore për drejtësinë mbetet mbrojtja e dëshmitarëve, e cila ka penguar shumë gjyqe për krime lufte nga ish-anëtarë të UÇK-së, si në Kosovë ashtu edhe në ICTY.

“Kjo aktakuzë është një hap pozitiv për drejtësinë pasi këto krime të pretenduara e kanë shoqëruar Kosovën për dy dekada”, tha Lotte Leicht, drejtoreshë e Bashkimit Europian në Human Rights Watch. “Pas vitesh të tëra që kërkojnë drejtësi, viktimat nga të gjitha grupet etnike më në fund mund të kenë ditën e tyre në gjyq”, shtoi ajo.

Se kush do të fitojë në fund në gjyq kjo mbetet për t’u parë. Shpresat janë të mëdha, si për shoqërinë e polarizuar të Kosovës, e cila gjatë pesë viteve të fundit ka kaluar nga një krizë në një tjetër, por edhe për viktimat si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Ata kanë më shumë se 20 vjet që e presin këtë, në ankth dhe me pritshmëri të mëdha.

Ndërkohë, personi më i përfolur sot në Kosovë, Thaçi, hesht. Ai nuk gjendet askund. Anuloi takimin e tij në SHBA, por mbetet ende për t’u konfirmuar se kur dhe si do të kthehet ai në Kosovë. Zyra e tij të mërkurën këmbënguli se ai do të kthehej në Prishtinë të enjten, pa specifikuar vendndodhjen e tij.

 

Mendimet e shprehura në seksionin e komenteve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.