Foto: KALLXO.com

Dy boksa policit, dënohet me 500 euro

Gjykata e Prishtinës, dega në Lipjan ka dënuar me 500 euro gjobë një person, pasi që i njëjti ka goditur dy herë me grusht në gjoks një polic, gjatë një mosmarrëveshje.

Ngjarja ka ndodhur me 21 koorrik të vitit 2020, derisa Policia ishte duke patrulluar në Lipjan, për respektimin e masave anti-COVID-19, i dënuari me inicialet F. Ll., fillimisht ka kanosur se do ta sulmojë zyrtarin policor me inicialet A. A.

I dënuari ka refuzuar t’ua jepte letërnjoftimin policëve, e më pas derisa Policia ishte duke shqiptuar tiketën kundërvajtëse, tashmë i dënuari i ishtu drejtuar policit me inicialet A. A., ‘ki me pa se kush jam unë, se boll me ty, se më ke hapë edhe raste tjera dhe ja ti ja unë, se nuk duroj ma kurr, o mangup’.

Tutje, pasi Policia ka shoqëruar të dënuarin në stacionin policor, i njëjti e ka sulmuar zytarin policor me inicialet A. A., duke e goditur dy herë me grusht në gjoks dhe duke i thënë ‘A mendonë se ki me hjek këtë uniformë, se nuk rrinë gjithë me këtë’.

Gjykata ka vendosur ta gjobisë me 500 euro të dënuarin, i cili do të detyrohet ta paguajë në afatë prej 15 ditëve, ndërsa në rast se dënimi nuk realizohet as me detyrim, gjykata ka vendosur që dënimi me gjobë mund të zëvendësohet me dënim me burgim, ashtu që për çdo ditë të kaluar në burg, llogaritet shuma prej 20 euro.

Gjykata, për vendimin në fjalë i ka marrë parasysh edhe rrethanat lehtësuese, pasi këtë e ka kërkuar mbrojtja e të akuzuarit, duke propozuar që të akuzuarin ta shpall fajtor sipas ligjit dhe rrethanave lehtësuese, si dhe ta marr për bazë pranimin e fajësisë.

“Tani ka qëllim që të udhëtoj jashtë shtetit, sepse atje e ka rregulluar qëndrimin deri sa t’i bëhet viza dhe nuk mendon më për probleme të tilla dhe as nuk e kundërshton policin”, citohet të ketë thënë mbrojtja e të akuzuarit.