Dy banka në Gjermani e korrigjojnë gabimin, nuk e prezantojnë më Kosovën si pjesë të Serbisë
Dy banka të mëdha në Gjermani për vite me radhë në platformat e tyre e kishin prezantuar Kosovën si pjesë të Serbisë, por prej tash e tutje kjo ka ndryshuar.
Kështu ka njoftuar ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, përmes një postimi në Facebook, më 05.11.2024
Ajeti ka thënë se kanë reaguar dhe janë angazhuar si ambasadë që Deutsche Bundesbank dhe Commerzbank të përmirësojnë gabimin e tyre, dhe se një gjë e tillë është arritur së fundmi.
“Falë reagimit dhe angazhimit tonë, si dhe bashkëpunimit me këto institucione bankare, Republika e Kosovës 🇽🇰 tashmë nuk figuron dhe nuk do të lidhet më në asnjë mënyrë me Serbinë, siç mund të vërehet edhe nga dëshmitë përkatëse”- ka shkruar Ajeti në Facebook më 05.11.2024.
Para përmirësimit, emri i Kosovës në këto dy portale shkruhej si “RS-SerKos”.
Ambasadori ka bërë thirrje që kushdo që hasë në ndonjë institucion apo kompani gjermane në të cilin Republika e Kosovës nuk paraqitet në mënyrë të drejtë dhe korrekte, të shkruajnë në [email protected], duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse, në mënyrë që të mund të korrigjohen gabimet e tilla.
Deutsche Bundesbank është banka qendrore e pavarur e Republikës Federale të Gjermanisë. Ajo është pjesë e Eurosistemit që nga viti 1999, duke ndarë përgjegjësinë me bankat e tjera qendrore kombëtare dhe Bankën Qendrore Evropiane për monedhën e përbashkët- euron.
Ndërsa, Commerzbank Aktiengesellschaft është një institucion bankar evropian me seli në Frankfurt am Main, Hessen, Gjermani. Ajo ofron shërbime për klientët privatë dhe sipërmarrës, si dhe klientët e korporatave. Grupi Commerzbank përfshin gjithashtu markën gjermane Comdirect Bank dhe filialin polak mBank.
Kosova ka kaluar nëpër flakët e luftës 1998/1999 për t’u çliruar nga Serbia. Republika Federale e Gjermanisë, ishte një nga shtetet që në bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë mori pjesë në çlirimin e Kosovës nga regjimi i Millosheviqit. Ndërsa është shpallur shtet i pavarur dhe demokratik më 17 shkurt 2008.
Gjermania ka qenë vendi i njëmbëdhjetë në botë dhe i katërti në Bashkimin Evropian që ka njohur Pavarësinë e Kosovës, tri ditë pas shpalljes së saj, më 20 shkurt 2008.
Deri më tani Kosovën e kanë njohur 117 vende. Vrulli i madh i njohjeve ka qenë menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë. Me kalimin e viteve ra edhe numri i tyre, edhe pse dy vite pas mëvetësisë, në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi në vitin 2010 se akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare.