Stacioni i Autobusëve || Ilustrim: Trembelat

Dy autobusë nga Kosova u sulmuan me gurë të shtunën në Serbi, MPJD kërkon nga Serbia të zbardhen motivet

Dy autobusë të një kompanie kosovare të transportit u sulmuan me gurë të shtunë në Serbi.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Disaporës ka konfirmuar incidentin i cili ndodhi më 27 janar rreth mesnatës.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është e njoftuar se dy autobusë të një kompanie kosovare udhëtimi “Fjolla Impex”, janë sulmuar me gurë nga persona të paidentifikuar në afërsi të Kurshumlisë. Sipas përfaqësuesve të kësaj kompanie që ishin të pranishëm kur ndodhën këto incidente, edhe pse nuk kishte pasagjerë të plagosur, dritaret e autobusit u dëmtuan”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e MPJD-së për KALLXO.com.

Nga kompania “Fjolla Impex” për KALLXO.com, shkurtimisht kanë treguar se nuk ka pasur dëme të mëdha në autobusët e tyre.

“Nuk ka pas dëme të mëdha, një xham është thy por nuk është diçka kumeditë se çka. Të shtunën në mbrëmje”- thanë nga kompania.

Në anën tjetër, nga MPJD thonë se kanë kërkuar nga autoritetet serbe të japin hollësi për motivet e sulmeve.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd i ka dërguar shkresë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë përmes së cilës ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që ta konfirmojë ndodhinë e këtyre rasteve të dhunshme dhe të japin hollësi të mëtejshme mbi rrethanat dhe motivet që quan tek sulmet e dhunshme”- thuhet tutje në përgjigjen e MPJD-së.