Dy ashensorë të Spitalit të Gjilanit jashtë përdorimit, paralajmërohet rregullimi i tyre

Dy nga gjashtë ashensorët sa janë gjithsej në të gjitha objektet e Spitalit e Përgjithshëm të Gjilanit janë jashtë funksionit, për shkak të dëmtimeve.

Të dy këta ashensorë janë në objektin numër 1.

Ashensori i vogël (300 kilogramë) është i prishur nga muaji i kaluar ndërsa ashensori i madh (1000 kilogramë) nga fillimi i këtij muaji.

Drejtori i këtij spitali, Arsim Emini ka treguar për KALLXO.com se është konstatuar dëmtimi i motorëve të ashensorëve të cilët janë të stërvjetëruar dhe për shkak të sigurisë janë jashtë përdorimit.

“Kemi kërkuar ndihmë për zgjidhjen e problemit dhe e kemi informuar përmes shkresës Drejtorinë e SHSKUK-së. Sot për shkak të urgjencës së rastit kemi bërë zotimin e mjeteve për blerjen urgjente të dy motorëve për ashensorët që janë në defekt.” – tha Emini të mërkurën.

Ai tha që presin që rregullimi të bëhet brenda 7 ditëve.

Edhe Drejtoria e SHSKUK-së bëri të ditur për KALLXO.com, see  kanë aprovuar kërkesën e Spitalit të Gjilanit dhe është inicuar procedura e prokurimit për furnizimin e pjesëve të kërkuara dhe janë dakorduar që të bëjnë përkrahjen financiare të kërkuar.

Deri në rregullimin e ashensorëve shërbimet për bartje të pacientëve në objektin numër 1 do të bëhen vetëm për raste urgjente.

“Per raste tepër urgjente, nga dita e djeshme jemi duke e perdorur ashensorin e madh vetëm në raste tepër të nevojshme në bazë të udhëzimeve nga kompania që është e angazhuar për servisim dhe mirëmbajtje. Për raste të tilla, perfaqësuesit e kompanisë do të vijnë të na asistojnë në përdorimin e ashensorit të madh 1000 kg.”

Emini po ashtu u kërkon falje të gjithë pacientëve dhe qytetarëve që marrin shërbime në spital, për këto probleme.