Aeroporti Nënë Tereza | Foto nga : Pixabay

Dy arrestime te reja për mashtrimet me aviobileta

Dy persona kanë përfunduar në pranga gjatë ditës së premte pasi të njëjtit po dyshohet se kanë kryer veprën penale të mashtrimit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi të shtunën se për dy të ndaluarit është kërkuar edhe paraburgim.

Dy të dyshuarit po hetohen për mashtrim me bileta të aeroplanit nga data 16 dhjetor 2020 deri më 30 qershor 2022.

Të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, u kanë ndihmuar të pandehurve M.K. dhe A.B., bashkëpronar të subjektit “Prishtina Jet” në Prishtinë, duke u krijuar kushte për kryerjen e veprës penale  të “Mashtrimit” nga neni 323 par. 4 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së, në atë mënyrë që përmes një marrëveshjeje interne të datës 16.12.2020 të nënshkruar mes të pandehurës S.I. dhe të pandehurit M.K., përfaqësuesi i ‘’Prishtina Jet’’, në këmbim të një kompensimi prej 4 euro për çdo transaksion, kanë hapur një xhirollogari bankare në emër të pandehurës S.I., në një bankë të Lucernit në Zvicër” – thuhet në njoftim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Personat e dëmtuar, respektivisht të mashtruar nga përfaqësuesit e subjektit ‘’Prishtina Jet’’, përmes kësaj xhirollogarie kanë kryer pagesa për blerjen e biletave fiktive të aeroplanit për të udhëtuar nga shtetet e perëndimit për në Kosovës dhe anasjelltas, me një çmim shumë më të lirë se sa çmimi real, kurse mjetet e mbledhura ua kanë transferuar në xhirollogaritë bankare të pandehurve të subjektit “Prishtina Jet” në Prishtinë dhe atë në shumën prej 227,922.54 CHF, kurse në xhirollogarinë e vet të pandehurit H.H., kanë transferuar shumën prej 26,003.02 CHF si përfitim i kundërligjshëm nga ky aktivitet, në xhirollogarinë Sofia-Bulgari shumën prej 199,873.67 CHF” – vijon njofitmi.

Shumën prej 174,695.36 CHF kanë transferuar në subjektin e regjistruar si Southeast – Slloveni, e cila është në pronësi të pandehurit M.K., ashtu që të gjitha këto transferime janë realizuar për periudhën kohore 01.01.2022 – 30.06.2022.