Dy aksidente në rrugën Prishtinë-Pejë

Të paktën dy persona kanë mbetur të lënduar në dy aksidente që kanë ndodhur sonte afër vendit të quajtur ‘Kroi i Mbretit’, në Korreticë të Epërme, në magjistralen Prishtinë –  Pejë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rreth orës 19:30 ka marrë informacionin se është shkaktuar aksident trafiku me lëndime dhe dëme materiale.

Sipas Policisë, dyshohet se vetura e tipit BMW duke lëvizur në drejtim të Prishtinës, ka humbur drejtimin, ka kaluar barrierat në mes të rrugës dhe ka kaluar në shiritin e rrugës në drejtim të kundërt, duke goditur një veturë të tipit ‘Smart’.

Më pas, Policia ka bërë të ditur se përderisa autoambulanca ishte në vendin e ngjarjes, një tjetër veturë e ka goditur atë nga prapa.

“Raportohet se deri në këtë fazë janë lënduar dy persona, zjarrfikësit dhe autoambulanca janë në vendin e ngjarjes. Gjithashtu disa dëme materiale raportohet se janë shkaktuar nga një automjet tjetër i tipit ‘Polo’, i cili në atë lokacion ka goditur autoambulancën nga prapa”, ka bërë të ditur për KALLXO.com, Daut Hoxha nga Policia e Kosovës.

Policia ka bërë edhe një herë thirrje për vozitësit e veturave që të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut.

“Ne në vazhdimësi kemi kërkuar dhe po kërkojmë nga vozitësit respektimin e rregullave dhe shenjave të trafikut, në veçanti ato të kufizimit të shpejtësisë. Po ndërmirren dhe do të ndërmirren masa aktive ligjore nga Policia, me qëllim që të shmangen aksidente trafiku që shpesh përveç dëmeve materiale, po përfundojnë edhe me pasoja njerëzore”.