Fotografi ilustruese.

DW: Një familjar i gazetarit të Deutche Welle u vra nga talebanët në Afganistan

Transmetuesi ndërkombëtar gjerman ka njoftuar se talibanët kanë vrarë një pjesëtar të familjes së një gazetari të Deutche Welle (DW), raporton CNN.

Talebanët kishin qenë në kërkim të një gazetari të DW që po qëndronte në Afganistan.

Më pas u konfirmua se një familjar i të njëjtit gazetar u qëllua për vdekje nga talibanët të mërkurën, si dhe një person tjetër që kishte marrë lëndime të rënda. Të afërmit e tjerë kishin arritur që të arratisen në minutën e fundit dhe ende janë në arrati, thuhet në një artikull të publikuar të enjten nga DË.

Në artikull po ashtu thuhet se talibanët kishin kontrolluar shtëpitë e te paktën tre gazetarëve.

Në një letër drejtuar kancelares Angela Merkel dhe Ministrit të Punëve të Jashtme Heiko Mass, gazetat e mëdha si dhe transmetuesit publik e komercial përfshirë këtu edhe DË, kishin kërkuar një evakuim të përshpejtuar të gazetarëve të tyre afganë, jetët e të cilëve ishin në rrezik.

“Jetesa në Kabul është bërë jashtëzakonisht e rrezikshme për punonjësit e organizatave ndërkombëtare të medias. Pas tërheqjes së trupave ndërkombëtare, përfshirë trupat gjermane, shqetësimi është rritur se talebanët do të hakmerren kundër punonjësve tanë ”, thuhet në letër.

Në letër gjithashtu thuhej se në vitet e fundit dhjetëra gazetarë ishin vrarë nga talibanët, dhe nga “Islamic State”, apo edhe nga persona të panjohur, por pothuajse asnjëherë qeveria nuk i ka identifikuar përgjegjësit.

“Duhet theksuar se vrasje të tilla tani do të rriten në mënyrë dramatike. Shumë pjesëtarë të stafit tanë janë në rrezik. Punonjësit që duan të largohen nga vendi përballen me persekutim, arrestime, tortura dhe vdekje. Prandaj, ne ju kërkojmë që të veproni sa më shpejt,” përfundojnë nënshkruesit e letrës.

Kancelarja gjermane Angela Merkel e ka përshkruar pushtimin e Afganistanit nga talebanët si “të hidhur, dramatik dhe të tmerrshëm” dhe theksoi rëndësinë e evakuimit të sa më shumë afganëve, të cilët kishin mbështetur përpjekjet ushtarake dhe civile gjermane në vend./CNN

Përktheu: Ilirjana Hoti