Përparim Rama, LDK Foto: Facebook

Dushi: Përparim Rama i plotëson të gjitha kushtet për t’u cerifikuar nga KQZ-ja

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Florian Dushi ka reaguar pas raportimit se kandidati i LDK-së Përparim Rama ka aplikuar për certifikim në KQZ me letërnjoftim të UNMIK-ut, e që si pasojë, edhe mund të mos certifikohet për të qenë pjesë e garës zgjedhore për kryetar të Prishtinës.

Dushi ka deklaruar se në këtë fazë të aplikimeve lëshimet teknike gjatë shqyrtimit nga ana e Zyrës për Regjistrim e Certifikim janë të mundshme dhe se sipas tij lëshimi ka ndodhur pa fajin e kandidatit Rama.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përkatësisht Zyra për Regjistrim e Certifikim, është në fazën e shqyrtimit të kërkesave të subjekteve politike e kandidatëve për certifikim. Kjo është fazë e shqyrtimit, më pas do të pasojë vendimi përfundimtar i KQZ-së për certifikim. Në këtë fazë, lëshimet, sidomos ato teknike gjatë shqyrtimit nga ana e Zyrës janë të mundshme prandaj ekziston periudha dhe mundësia për evitimin e tyre”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Dushit, Përparim Rama i plotëson të gjitha kushtet ligjore për t’u certifikuar si kandidat për kryetar të Prishtinës.

“Madje, në këtë rast, lëshimi ka ndodhur pa fajin e kandidatit Përparim Rama i cili, ndryshe nga shumë kandidatë të tjerë, është i lindur dhe i rritur në Prishtinë, posedon dokumentacion të Republikës së Kosovës dhe plotëson të gjitha kushtet ligjore për t’u certifikuar si kandidat për kryetar të Prishtinës”, thuhet në publikimin e tij.

KALLXO.com sot ka raportuar se kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama ka aplikuar me letërnjoftim të UNMIK-ut dhe jo me atë të Republikës së Kosovës, për certifikim për zgjedhjet lokale në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dhe kjo mund ta penalizojë certifikimin e kandidaturës së tij për të parin e kryeqytetit.

Megjithëkëtë kandidati i LDK-së e ka një mundësi për përmirësimin në aplikacion, për t’iu mundësuar garimi për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka thënë për KALLXO.com duke u mbështetur në planin operacional të miratuar nga KQZ-ja, më 17 gusht Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka filluar të njoftojë subjektet politike lidhur me përmirësimet apo korrigjimet që duhet të bëjnë.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën, aplikoi për certifikim në KQZ me letërnjoftim të UNMIK-ut