Durrës - Policia arreston mashtruesit që po manipulojnë me situatën pas tërmetit

Policia e Durrësit njofton se ka arrestuar një person të dyshuar për manipulime duke shfrytëzuar situatën e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Bie në prangat e Policisë një 49- vjeçar, nga Tirana për mashtrim me qëllim përfitimin e një shume lekësh. Policia e Durrësit, në kuadër të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së rasteve abuzive apo të mashtrimit duke përfituar si pasojë e situatës së krijuar nga tërmeti i rënë më datë 26 nëntor, ka shtuar prezencën policore me uniformë dhe civile në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti. Si rezultat i investigimit në pikat e grumbullimit të ndihmave, në tregjet ushqimore dhe në territor, Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin: Arben Musliaj, 49 vjeç, banues në Tiranë”, ka njoftuar Policia e Shtetit.

“Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas duke shfrytëzuar situatën e ndodhur pas tërmetit, në lagjen nr. 14, në ambientet e brendshme të tregut të fruta-perimeve në Shkozet, Durrës, i ka marrë me anë të mashtrimit shumën prej 13,000 lekë (të rinj) shtetasit N. F. , banues në Durrës, me arsyen se i duheshin për të blerë ndihma ushqimore për këtë situatë. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme”, bën të ditur Policia shqiptare.

Në njoftim thuhet se Policia e Durrësit garanton qytetarët se është tërësisht e angazhuar për të garantuar rendin dhe sigurinë, e jetës dhe të pronës dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital çdo rast abuziv apo çdo tentativë për vjedhje prone duke ju garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm.