Durrës, nis rikonstruksioni i objekteve të dëmtuara nga tërmeti

Në Durrës kanë nisur punimet për rikonstruksionin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në shkallën DS3 (nevojë për përforcim strukturor dhe meremetim tërësor muraturash të dëmtuara), bazuar mbi projekte të financuara nga vetë ndërtuesit dhe të miratuara vetëm mbi standardet e EUROCOD-it.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama inspektoi sot nga afër një nga pallatet në Durrës që po rikonstruktohet.

Teksa pa nga afër situatën, kryeministri Rama, i shoqëruar edhe nga drejtuesi qendror i zyrës Operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore, ministri Fuqiplotë Bledi Çuçi, kryetari i bashkisë së Durrësit, Zhylien Varfi, bisedoi dhe me inxhinierët që kanë marrë përsipër riparimin e pallatit, si dhe grupet e punës në terren.

Ministri Çuçi tha se është godinë 6-katëshe që ka pasur dëmtime mesatare.

“Në këtë pallat jetojnë 40 familje. Dëmet kanë nisur nga poshtë. Pas punimeve, kjo godinë është e sigurt. Në Durrës kemi numrin më të madh të pallateve, me vlerësimin e dëmtimeve DS3 dhe DS2”, tha ai.

Ndërsa inxhinieri që po ndjek punimet tha se “po përforcojmë kolonat, që objekti të jetë sa më i fortë dhe i qëndrueshëm, si dhe kemi përfunduar ashensorët”.

Kryetari i bashkisë së Durrësit, Varfi theksoi se deri tani janë bërë 39 aplikime, janë në shqyrtim 13 të tjera dhe 12 janë refuzuar sidomos për mungesë të informacionit në projekt.

Ai tha se deri tani në Durrës janë 900 familje që e kanë bonusin e qirasë.

“Ndërsa të miratuar kemi tre lista, 1310 e dyta dhe 2553 që kemi kaluar listën e fundit.”, deklaroi ai.

Kryeministri Rama u shpreh se ka rëndësi që njerëzit që presin të hyjnë në këto godina të shohin si bëhet kjo punë dhe pse këto godina dalin më të forta pas tërmetit dhe nuk kanë asnjë lloj problem.

“Është psikologjike. Kushdo që të ishte edhe unë apo ju të ishit nuk e fusnit familjen në një shtëpi ku mendon se do të këputen kolonat”, tha Rama.

Rama sqaroi se dëmtimet e vlerësuara DS3, DS2 dhe DS1 janë ato më të lehta. Në anën tjetër, ministri Çuçi tha se në Durrës me DS3 janë vlerësuar 153 pallate nga 4 deri mbi 10 kate. Qeveria po vijon punën edhe për ndërtimin e zonave të reja të banimit, si edhe për shtëpi më të mira në fshat./rtv21