Droga e kapur në Portin e Durrësit. Foto Policia e Shtetit

Durrës, gjendet drogë në kamionin e sekuestruar në port prej 9 muajsh

Policia e Durrësit njoftoi se kishte zbuluar edhe 1 kilogram lëndë narkotike të llojit “heorinë”, në trupin e një kamionit të sekuestruar më 26 qershor 2021, kur iu gjetën edhe 17 kilogram heroinë. Droga u gjet pasi policia preu shasinë e kamionit.

Policia e Durrësit njoftoi se kishte zbuluar edhe 1 kg lëndë narkotike të llojit “heorinë”, në trupin e një kamionit të sekuestruar që prej 26 qershorit 2021. Kamioni ishte bllokuar me një sasi prej 17 kilogramësh heroinë, por ndërsa hetimet vijuan 9 muaj pas sekuestros dhe arrestimit të shoferit, policia bëri një kërkim të ri në pjesët e mbyllura të mjetit dhe pasi preu shasinë zbuloi një kilogramë droge shtesë.

Sipas njoftimit për mediat policia tha se kishte marrë informacione se në kamionin e sekuestruar në portin e Durrësit gjatë operacionit të koduar “ATTEMPT” mund të kishte përsëri lëndë narkotike.

“Pas ndërhyrjes me mjete prerëse, në shasinë e kamionit u bë e mundur gjetja e një sasie tjetër lënde të dyshuar narkotike heroinë, me peshë 1 kilogramë”, sqaroi policia për mediat.

Policia tha se aksioni kishte nisur më 26 qershor 2021, kur Policia e Shkodrës dhe ajo e kufirit bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe mbi analizën e riskut në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, ndaluan një kamion me targa shqiptare që po qarkullonte drejt të Malit të Zi.

Pas sjelljes për kontroll të imtësishëm në Portin e Durrësit, u zbulua sasia e drogës fshehur në kamion. Policia arrestoi menjëherë drejtuesin e kamionit, 56-vjeçarin me iniciale S. P. Ndërkohë pas 9 muajsh hetimi ende nuk ka identifikuar zyrtarisht porositësit apo personat të cilëve i përkiste lënda narkotike.