Durrës, bllokohen dy motorë uji, rrezikonin jetën e plazhistëve (VIDEO)

Policia Kufitare shqiptare ka bllokuar dy motorë uji, të cilët kryenin manovra të rrezikshme brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e plazhistëve.

Policia e Shtetit njofton se pas njoftimit të marrë nga pushuesit se dy motorë uji po kryenin manovra të rrezikshme lundrimi duke rrezikuar jetën e plazhistëve, Policia Kufitare e Durrësit menjëherë ka bërë të mundur bllokimin e dy motorëve të ujit.

Në përfundim të veprimeve, dy drejtuesit e motorëve të ujit, shtetasit S. Xh. dhe S. J., janë ndëshkuar me masë administrative me vlerën 100 000 lekë secili, për shkeljen e rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese në plazhe e sporte ujore.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në numrin 112 duke iu garantuar reagim të shpejtë, profesional e të paanshëm.