Foto-ilustrim

Durrës, arrestohet personi që dyshohet se hodhi shokun nga ura, Policia gjen trupin e pajetë të 33-vjeçarit

Pas veprimeve hetimore të thelluara të kryera nga strukturat hetimore të Policisë së Durrësit nën drejtimin  Prokurorisë është identifikuar, kapur dhe arrestuar autori i dyshuar i vrasjes së 33-vjeçarit.

Policia vuri në pranga autorin e dyshuar një 35-vjeçar, që dyshohet se e ka shtyrë me qëllim 33-vjeçarin drejt kanalit.

“Shtetasi H. Sh., banues në lagjen nr. 15 Durrës, më datë 04.12.2024, ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës, se prej datës 02.12.2024, djali i tij shtetasi B.Sh., 33-vjeç, ishte larguar nga banesa dhe kishte humbur kontaktet me të” – njofton Policia e Shtetit.

Shërbimet e Policisë kryen kontrolle intensive dhe më 05.12.2024 kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë.

Sipas njoftimit të Policisë, nga këqyrja e trupit të viktimës nuk u konstatuan shenja dhune, por nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe veprimeve të tjera hetimore, grupi hetimor krijoi dyshime se ngjarja nuk ishte aksidentale.

“Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore u dokumentua dhe me prova shkencore se shtetasi M. H., 35-vjeç, banues në lagjen nr. 15 Durrës, më datë 02.12.2024, pas një konflikti për motive të dobëta, ka shtyrë duke e hedhur nga një urë në kanalin e ujërave të zeza shtetasin B.Sh, i cili si pasojë e rrëzimit ka humbur jetën” – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim  me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, pas një pune intensive hetimore të bëra në lidhje me denoncimin bërë nga një shtetas u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të vrasjes së shtetasit B.Sh., 33-vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.