Policia e Shtetit, foto: Facebook

Durrës, arrestohet për falsifikim të testeve të COVID-19 pronarja e një agjencie udhëtimesh

Policia e Shtetit në Shqipëri njoftoi se ka arrestuar një person, pronare e një agjencie udhëtimesh nën dyshimin se ka falsifikuar teste të COVID-19.

“Vihet në pranga pronarja e një agjencie udhëtimi, për falsifikim të testeve të Covid-19, në emër të një klinike në Tiranë. Procedohen penalisht dhe dy shtetas të tjerë, të cilët u kapën në tentativë për të kaluar kufirin me teste të Covid-19, të falsifikuara nga pronarja e kompanisë”, thuhet në njoftimin e forcave të rendit.

Siç është thënë në njoftimin e Policisë, e arrestuara bënte teste false në emër të një klinike në kryeqytetin shqiptar.

“Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasja A. R., 56 vjeçe, banuese në Durrës, pronare e një agjencie udhëtimi, e cila falsifikonte testet e Covid-19, në emër të një klinike në Tiranë.  Gjithashtu, në kuadër të operacionit, në bashkëpunim edhe me Policinë Kufitare në Portin e Durrësit, u kapën dhe u proceduan penalisht dy shtetas, të cilët tentuan të kalonin kufirin për në Itali, me teste të falsifikuara nga pronarja e agjencisë së udhëtimit”, thuhet tuje në njoftim.

“Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore” dhe “Fshehja e të ardhurave””, përfundon njoftimi.