Hysen Durmishi, 08.08.2024, Foto: KALLXO.com
Durmishi pret raportin final të stabilitetit të urës së Ibrit brenda dy-tre ditësh
Pasi ka filluar testimi i urës së Ibrit me disa mauna mbi të, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi në një prononcim për media ka thënë se testimi i urës po bëhet për të konstatuar se a është stabile për qarkullimin e automjeteve apo nuk është.
Sipas Durmishit, brenda dy-tre ditësh ata presin një raport final të stabilitetit të urës së Ibrit nga kompania që është duke bërë testimin e kësaj ure.
“Pra, kjo është pjesë teknike që është duke u zhvillu, sot gjatë ditës përmbyllet ky si proces dhe e presim një raport prej kompanisë, e cila e ka fitu këtë kontratë që të na tregojë me metoda shkencore se kjo urë është stabile dhe përmbushë të gjitha kërkesat që duhen për qarkullimin e automjeteve” – ka deklaruar Durmishi, më 08.08.2024.
Durmishi është pyetur për reagimin e shteteve të QUINT lidhur me hapjen e urës së Ibrit.
Ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara), nuk kanë mbështetur ndryshimin e statusit aktual të Urës së Ibrit në Mitrovicë.
“Natyrisht që kryeministri, Qeveria kanë takime të rregullta me QUINT, me të gjithë faktorët relevant ndërkombëtar. Siç e shihni ju kjo urë kur është projektu dhe kur është ndërtu është ndërtu për qarkullimin e automjeteve dhe qarkullimin e këmbësorëve duke e pa që sot secili qytetar i Kosovës mund të lëvizë lirshëm në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, ashtu siç lëvizë lirshëm në Shtëprcë, Graçanicë, Ranillugë, Kllokot atëherë është e pakuptimtë që kjo urë të mos hapet për kalimin edhe të automjeteve” – ka thënë Durmishi.
Tutje, Durmishi ka theksuar se kanë koordinim me KFOR-in për të gjitha procedurat që synojnë t’i përfundojnë në urën e Ibrit.
Durmishi është pyetur edhe për kompaninë, e cila është përzgjedhur për testimin e urës së Ibrit, e për të cilën tha se është përzgjedhur me procedurë të përshpjetuar.
“Ka qenë me procedurë të përshpejtuar, pak kompani kanë pajisje të tilla për matjen e stabilitetit të urës. Janë përfundu të gjitha procedurat, është nënshkru kontrata, kemi fillu punimet dhe besoj që sot përfundon testimi, brenda dy-tri dite e presim raportin final” – ka shtuar Durmishi.
Pasi është parë kompania ‘Bageri’ në urën e Ibrit, gazetarët e kanë pyetur Durmishin për miqësinë e tij me pronarët e kësaj kompanie.
“Këto pyetje ju lutem me naj konferencë tjetër. Krejt çka kam pas unë për kompaninë “Bageri” kam fol, po më duket që serioziteti i temës mund të dëvijohet me pyetje të tilla për kompaninë ‘Bageri’” – ka thënë ai.
Më tej, Durmishi nuk ka bërë të ditur ndonjë datë se kur do të hapet ura e Ibrit, por ka thënë se ajo do të hapet.
“Unë nuk po vi shpesh, po, po vi se jemi duke implementu një kontratë. Ne kemi një kontratë për testimet e stabilitetit të kësaj ure. Kemi fillu para dy dite me matje gjeometrike, sot po i bëjmë testimet për ta konstatu se ura është stabile për qarkullimin e automjeteve apo jo, kur të përfundon kjo kontratë nuk do të më shihni këtu” – tha Durmishi.
Paraditen e të mërkurës (07.08.2024) u mbajt një protestë e organizuar qytetarë të komunitetit serb, të cilët po kundërshtojnë hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim edhe të automjeteve siç kanë paralajmëruar autoritetet e Kosovës.
Ndërsa pasditen e të mërkurës, punëtorë të ndërmarrjes “Arbotec” kanë filluar ngjyrosjen e mureve nën Urën që ndan e bashkon qytetin e Mitrovicës.
Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë së shpejti mund të lëshohet për qarkullim të automjeteve sipas paralajmërimeve të Qeverisë.
Qeveria, të cilës i prin Albin Kurti, së fundmi dha një tender për testimin e Urës për lëvizjen e mjeteve mbi të.
Kompania fituese është përzgjedhur “IPE-PROING”. Madje, të martën, më 06.08.2024, punëtorët e kompanisë dolën në terren për të kryer disa matje.
Ministria e Infrastrukturës përmes platformës elektronike ka publikuar kontratën për dhënien e një tenderi me titull “Përcaktimi i kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër në Mitrovicë, me ngarkesa testuese”.
Vlera e tenderit është 9 mijë e 640 euro.
Në ndërkohë u mbajt një dëgjim publik me qytetarë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut për të diskutuar për hapjen e urës mbi lumin Ibër.