Hysen Durmishi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com
Durmishi për aksidentin me fatalitet në Pestovë: Ka ndodhur në pjesën e rrugës ku ka qenë i ndaluar komunikacioni
Një person i moshës 21-vjeçare ka vdekur si pasojë e lëndimeve që ka marrë në një aksident trafiku që ka ndodhur më 06.11.2024 rreth orës 22:00 në fshatin Pestovë të Vushtrrisë.
Në lidhje me këtë ka reaguar zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili tha se aksidenti ka ndodhur në pjesën e rrugës ku ka qenë i ndaluar komunikacioni dhe, sipas tij, në rrugë ka qenë sinjalistika e nevojshme.
“Në projektin e rrugës Milloshevë – Mitrovicë përveç kontraktorit e kemi të angazhuar edhe një kompani konsulente e cila bënë mbikqyrjen e punimeve dhe kujdesen për mbarëvajtjen e punimeve dhe për sigurinë në punishte. Menjëherë pas rastit kemi kërkuar një raport nga punëkryesi dhe kompania mbikqyrëse. Në bazë të këtij raporti konstatohet se në rrugë egziston sinjalistika e nevojshme dhe aksidenti ka ndodhur në pjesën e rrugës ku ka qenë i ndaluar komunikacioni”- theksoi zëvendësministri.
Durmishi ftoi Policinë e Kosovës e institucionet e drejtësisë që ta trajtojnë këtë rast me prioritet deri në zbardhjen e tij teksa qytetarëve u bëri thirrje të kenë kujdes në komunikacion.
“Megjithatë, me rastin po merret policia e Kosovës dhe po presim raportin zyrtar të tyre. Me këtë rast ftojmë policinë e Kosovës dhe institucioneve të drejtësisë që ta trajtojnë rastin me prioritet që sa më parë të zbardhen arsyet e aksidentit. Me këtë rast ftojmë të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të lëvizin me kujdes në vendet ku zhvillohen punimet dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe sinjalistikën në vendëpunishte”- përfundoi ai.