Durmishi: Nënshkruhen kontratat për rrugën Prizren-Tetovë, OSHP e kthen në rivlerësim Lotin 2

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se janë nënshkruar kontratat për realizimin e rrugës Prizren-Tetovë, me gjatësi prej 20.350 km.

Ai ka bërë të ditur se këto kontratat për tenderin “Ndërtimi i rrugës Prizren – Kufiri me Maqedoninë e Veriut (Tetovë), segmenti Struzhë – Kyçja në Autoudhën dr.Ibrahim Rugova në Prizren – Jug” janë lidhur vetëm për Lotin 1 dhe 3 të kësaj rruge.

“Sot janë nënshkruar kontratat për realizimin e Rrugës Prizren-Tetovë, me gjatësi prej 20.350km, përkitazi ndërtimin e rrugës Prizren-Kufiri me Maqedoninë e Veriut (Tetovë), për Lot 1 në vlerë prej 7,999,999.00 euro, si dhe Lot 3 në vlerë prej 8,346,804.38 euro. Kjo rrugë i lidhë dy autostrada ndërkombëtare të cilat kalojnë në të dy anët e maleve të Sharrit, dhe lidhja e këtyre dy rrugëve në pikën më të afërt mes tyre, përveç se i afron dy qytetet dhe dy shtetet tona, ajo mundëson edhe hapjen e një korridori të ri rrugor me ndikim ekonomik për të dyja vendet”- ka shkruar Durmishi në Facebook më 02.08.2024.

Durmishi ka thënë se Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka kthyer në rivlerësim Lotin 2, për ndërtimin e të kësaj rruge.

Kontrata për Lotin 1 kap vlerën 7,999,999 euro dhe e njëjta është nënshkruar me grupin e operatorëve ekonomikë 4 A-M & PREMIUM BETON SH.P.K. & GPG Company Sh.p.k.

Kontrata për Lotin 3 kap vlerën 8,346,804 euro dhe e njëjta është nënshkruar me grupin e operatorëve ekonomikë EUROKOS HOLDING SH.P.K. & ALFA.i & ELBAU SH.P.K. & Agim Morina B.I. & N.N.SH. WORLD MEDIUM & Adnan Bislimi B.I.

Më 23.05.2024, me 82 vota për Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen e bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren.

Në seancën e mbajtur më 23.05.2024, gjatë votimit të kësaj marrëveshje të pranishëm ishin 93 deputetë.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk kanë marrë pjesë në votim.

Kuvendi ka miratuar edhe amendamentin nr.1 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2020” me 89 vota për.

Më 13.08.2023, kryeministri Albin Kurti përmes një videoje të publikuar në Facebook ka thënë se bashkë me kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, kanë diskutuar edhe për rrugën Prizren-Tetovë.

Sipas tij, në bazë të parallogaritjeve, kostoja e këtij projekti infrastrukturor do të jetë rreth 200 milionë euro.

“Prej tyre afër 150 milionë euro janë për tunelin 6.4 kilometërsh përmes malit të Korfit (Vërtopit), e që është përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai i Kalimashit. Ndërkaq rreth 50 milionë euro do të kushtojë rruga në të dy anët e tunelit që do të lidhë këto dy qytete shumë të rëndësishme sa për aktualitetin e qytetarëve, aq edhe për potencialin ekonomik e turistik”- kishte shkruar Kurti.

Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës dhe ajo maqedonase nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e rrugës që do ta lidhte Prizrenin në jug të Kosovës me Tetovën në veriperëndim të Maqedonisë së Veriut.

Rruga Prizren-Tetovë, mbi 150 milionë euro investim me tunelin mbi 6 kilometra