Ilustrim, Bora në rrugët e Kosovës

Durmishi: Në të kaluarën janë paguar 19 milionë euro në vit për mirëmbajtje të rrugëve, sivjet 10 milionë më pak

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se në të kaluarën janë paguar nga buxheti i shtetit rreth 19 milionë euro në vit për mirëmbjatjen dimërore dhe verore të rrugëve regjionale dhe nacionale.

Në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, Durmishi tha se Qeveria aktuale e ka ulur në 9 milionë euro.

“Në kontratat e kaluara të mirëmbajtjes, paramasat kanë qenë jashtëzakonisht të fryra. Mirëmbajtja dimërore dhe verore buxhetit të Kosovës për rrugët regjionale dhe nacionale i kanë kushtuar 19 milionë euro në vit. Dhe ne kemi hy dhe i kemi analizuar gjithë ato paramasa, ka pasur pozicione të dublifikuara. Ne i kemi përmisu këto paramasa, i kemi hequr pozicionet e dublifikuara dhe i kemi zbritë kontratën e mirëmbajtjes në 9 milionë euro në vit. Prej 19 në 9 milionë euro”, pretendoi Durmishi.

I pyetur se a ka raste që janë gjobitur kompanitë në rastet kur nuk janë pastruar rrugët, Durmishi tha se gjobitje ka vazhdimisht.

“Nuk ka vit që kompanitë, menaxherat dhe inspektoriati kanë qenë në terren vazhdimisht më shumë se këtë vit, këtë dimër.Natyrisht se guxon (menaxheri me dënu kompaninë), edhe nëse nuk e ka bo menaxheri, e dënon inspektori. Ka pasur dënime dhe ka vazhdimisht. Gjatë periudhës së dimrit, kur ka pasur reshje unë vetë kam qenë në terren. Asnjë rrugë nuk ka qenë e bllokuar në Kosovë asnjëherë”, ka deklaruar Durmishi.