Durmishi flet për disa rrugë të asfaltuara dhe që janë të pashpronësuara që nga 2008-ta

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtuar Raportin e auditimit të performances “Vlera për para në ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale”.

Kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami ngriti çështjen e mungesës së fondeve për mirëmbajtjen e rrugëve.

“Një çështje që e shohim në të gjitha komunat, kemi shumë rrugë të ndërtuara por ajo që shihet është mungesa e fondeve për mirëmbajtje, nuk e dimë cilat janë obligimet e kontraktuesve për mirëmbajtjen e këtyre rrugëve”, tha Bajrami.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani përmendi disa nga gjetjet e këtij raporti të auditimit.

“Shumica e projekte e ndërtimit nuk ishin përfunduar në kohë. Kishte edhe dy projekte që nuk ishin ndërtuar edhe pas 5 viteve. Për shumicën e projekteve të ndërtimit të rrugëve buxheti nuk ishte adekuat. Projektet kryesore për ndërtimin e rrugëve kishin mangësi dhe si të tilla ishin pranuar nga zyrtarët komunal”, tha Rrahmani.

Ai shtoi se ky raport ka të bëjë më punët që kanë filluar në vitin 2016-2017.

Me autorizimin e ministrit Liburn Aliu në këtë komision ka raportuar zëvendësministri Hysen Durmishi.

Zëvendësministri Durmishi tha se në tërësi pajtohet më këtë raport, ndërsa shtoi se një ndër problemet në ndërtimin e rrugëve ka të bëjë me projektet jo cilësore.

“Kemi rrugë të ndërtuara në vitin 2008 e cila nuk është shpronësuar asnjëherë dhe tash vijnë padi nga pronarët për pronën që u është marrë. Si ministri i kemi identifikuar 12 rrugë të tilla që s’kanë elaborat shpronësimi”, tha Durmishi.