Durmishi: 182 milionë euro borgje janë grumbulluar nga shpronësimet, në buxhet i kemi vetëm 7.3 milionë

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka deklaruar se pas anulimit të tenderit për mirëmbajtjen e rrugëve për vitin 2021-2024, kanë shpallur tender të ri për të cilin thotë se e kanë ndryshuar në tërësi.

Sipas tij, kontrata do të jetë një vjeçare dhe do të ketë sasi fikse dhe jo fiktive sikurse në të kaluarën.

“Hapja e ofertave do të bëhet 31 maj. Kemi ndryshuar paramasat dhe kemi futur produkte të reja të cilat do të përdoren për herë të parë në rrugët e Kosovës. Kemi futur produkte të reja që rritin cilësinë e rrugëve dhe sigurinë në komunikacion. Vlera e parashikuar në këtë  do të jetë mbi 11 milionë euro e 669 mijë do të jetë e ndarë në 14 llote. Nëse e llogarisimim për 3 vitet e ardhshme do të shpenzojmë 35 milionë euro. Vetëm nga kjo kontratë buxhetit të Kosovës ia shpëtuam 22 milionë euro. Po e rrisim konkurrencën dhe po e kursejmë buxhetin”, u shpreh Durmishi.

Çështja tjetër që ai përmendi është edhe shpronësimet që kanë mbetur pa u kryer e për të cilat thotë se ka krijuar shumë probleme.

“182 milionë euro për shpronësimet e ndërkohë që në buxhet kemi 7.2 milionë euro. Kjo ka shkaktuar shumë probleme dhe janë shpallur shumë kontrata pa një analizë paraprake se si do të bëhen pagesat. Ka shumë vendime qe kanë kaluar afatin dy vjeçar dhe shumë vonesa shkaktojnë pagesa me kamatë. Rruga nga Prishtina e deri te rrethi QMI nuk ka fare laborat shpronësimi dhe tashmë ka vendime të gjykatave që po vijnë për shpronësimet e që fillimisht nuk ka pasur. Kësisoj janë 12 rrugë në Kosovë. Ne duhet ta rrisim buxhetin për shpronësime”, tha ai.

Gjithashtu ai njoftoi se do të pezullojnë të gjitha memorandumet që janë nënshkruar në vitin 2021 me komunat.

“Ne do të pezullojmë të gjitha memorandumet që janë nënshkruar në vitin 2021 me komunat. Pa analizuar mirë, dhe në kohë pandemie mund të mos kenë mjete për realizmin e tyre Vetëm në janar- mars janë nënshkruar memorandume në vlerë 18.5 milionë euro. Këto shkurtime po i bëjmë qe të përfundojmë disa projekte që kanë zgjatur disa vjet Prishtinë -Mitrovicë dhe Prishtinë – Podujevë”, deklaroi zv/ministri Durmishi.

Zv/ministri i Infrastrukturës tregon se kanë anuluar tenderin në vlerë miliona euro