Dumoshi: Salla sportive në Istog përfundon në shtator të këtij viti

Projekti i ndërtimit të sallës së sportit në Istog i nisur që nga viti 2007, do të përfundojë në shtator të këtij viti.

Këtë e ka paralajmëruar ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi gjatë një vizite sot në Istog. Kjo ministri ka investuar për këtë sallë 2,4 milionë euro.

Siç njofton kjo Ministri përmes një komunikate për media, Dumoshi deklaroi se salla e sporteve “po shkon drejt përfundimit dhe sipas planit deri në shtator ky projekt të kryhet”.

“Interesi i Qeverisë dhe plani programor i saj është i lidhur me zhvillimin e komunave të Kosovës. Në kuadër të kësaj, fushat e kulturës, rinisë dhe sportit, të cilat mbulohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes investimeve të saj në komuna, janë konform këtij plani. Ndër marrëveshjet e para që kam nënshkruar si ministre me komunat, ka qenë me komunën e Istogut. Lajmi më i mirë është që një prej projekteve që është tejzgjatur, salla e sporteve në qytet, po shkon drejt përfundimit dhe sipas planit deri në shtator ky projekt të kryhet”, tha citohet të ketë thënë ministrja Dumoshi.

“Sportistët e Istogut do të kenë një hapësirë moderne ku do të mund t’i zhvillojnë aktivitetet sportive e garat”, tha ajo mes tjerash.

 

Ministrja Dumoshi foli edhe për projektet për sektorin e rinisë dhe porositi drejtuesit e komunës së Istogut që të inkurajojnë të gjithë të rinjtë e Istogut që të aplikojnë në programet që ka MKRS-ja për rininë, qoftë në programet e trajnimit për ndërmarrësi, në programet startup, e të gjitha thirrjet tjera.

Ndërsa, kryetari Haki Rugova, e falënderoi ministren për vizitën dhe për gatishmërinë e treguar për ta mbështetur me investime Komunën e Istogut, në “projekte të cilat janë të nevojshme dhe në dobi të qytetarëve të kësaj ane”.

“Ndër projektet që do të përkrahen në Istog do të jetë edhe finalizimi i “Memorialit Ibrahim Rugova” të cilin ministrja pati rastin të vizitojë. Ministrja tha se MKRS-ja në Istog është duke investuar dhe financuar edhe në fushën e trashëgimisë dhe vetëm në këtë vit janë duke u zhvilluar 8 projekte në gërmime e në restaurime”, thuhet tutje në njoftim.

Kujtojmë se edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi u kishte premtuar sportdashësve se në qershor të këtij viti palestra sportive në Istog do të jetë e gatshme për t’u vënë në funksion.

 

Ministri se mban fjalën për përfundimin e palestrës të nisur 13 vite më parë