Dumoshi: Do të shqyrtojmë riaktivizimin e aktiviteteve sportive

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi sot ka thënë se së bashku me Ministrin e Shëndetësisë dhe me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) do të shqyrtojnë mundësinë për riaktivizimin e të gjitha sporteve.

Dumoshi gjatë takimit me drejtuesit e Federatës të Bodybuildingut dhe Fitnesit të Kosovës dhe përfaqësuesit e palestrave private sportive të fitneseve të Kosovës tha se do të adresojë shqetësimet e tyre, duke pasur parasysh që të gjithë sportistët po ballafaqohen me vështirësi për t’i zhvilluar aktivitetet e tyre për shkak të pandemisë.

“Jam e vetëdijshme që të gjitha federatat po kalojnë një fazë të vështirë në këtë kohë, shkak të pandemisë, por ne si ministri dhe unë personalisht si ministre do të angazhohem që t’i adresojë shqetësimet dhe kërkesat e juaja tek ministri i shëndetësisë”, tha ministrja.

Tutje, ajo tha se do të kërkojë që varësisht nga kapacitetet dhe rekomandimet e Institutit, të rishqyrtohet çështja e kërkesave që përfaqësuesit e fitneseve parashtruan.

Sipas saj edhe federata dhe klubet e tjera sportive kanë të njëjtat kërkesa, por vendimmarrjen e kanë në dorë Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja.