Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dukagjin Zeka tregon pse po përzihet akreditimi me biznes

Anëtari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Dukagjin Zeka, tha në emisionin “Kallxo Pernime” se institucionet e arsimit të lartë e kanë bërë çështjen e akreditimit që të përzihet me biznes.

Sipas tij, institucionet publike dhe ato private të arsimit të lartë e kanë bërë këtë gjë për disa arsye.

“Shumica e njerëzve e kanë bërë çështjen e akreditimit biznes, por edhe institucionet publike edhe privatet. Privatet për me kriju të hyra, kurse publiket për më kriju vende të punës pa njerëz meritorë dhe normalisht ne sot kemi ankesa kur njerëzit shkojnë në gjyqe dhe vijnë e kërkojnë një shpëtim, lloj-lloj tituj akademikë, punësime, krijime të programeve fiktive sepse në bazë të udhëzimeve administrative po rregullohen këto brenda nate”, tha Zeka.

Zeka shtoi se deri më tani nuk ka pasur ndonjë kërcënim për akreditim të ndonjë programi.

“Shantazhe e kërcënime s’kam pasë, po ato bëhen për njerëzit që e ngjyejnë e futen vetë në këto procese”, tha ai më tej.