Dukagjin Pupovci, drejtor i Qendrës për Arsim të Kosovës - Foto: REL

Dukagjin Pupovci emërohet zv.ministër i Arsimit

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci është emëruar zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi për media, Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), organizata në të cilën Pupovci ka qenë drejtor për shumë vite.

“Dje, më 5 prill 2021, gjatë mbledhjes së Bordit Drejtues të Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC) është aprovuar dorëheqja e z. Dukagjin Pupovci nga pozita e drejtorit ekzekutiv të KEC, pozitë në të cilën ai shërbeu për 21 vite me radhë, duke dëshmuar profesionalizëm dhe përkushtim. Prej sot, z. Pupovci do të vazhdoj të ofrojë kontributin e tij në avancimin e sistemit të arsimit në Kosovë, në cilësinë e zëvendësministrit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit”, thuhet në njoftim.

KEC ka njoftuar se aktualisht U.D i drejtori i kësaj organizate është emëruar Petrit Tahiri.

“Me këtë rast, Bordi ka emëruar si ushtrues detyre të drejtorit ekzekutiv kolegun tonë z. Petrit Tahiri, i cili tash e 15 vite është pjesë e KEC dhe i cili është njohës shumë i mirë i fushës së arsimit. KEC falënderon z. Pupovci për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe avancimin e organizatës dhe njëkohësisht i uron shëndet dhe suksese në rrugëtimin e ri”, thuhet në fund.

Pupovci është profesor universitar dhe ekspert i arsimit tashmë e disa vite. Ai shkollën fillore dhe atë të mesme i mbaroi në Prishtinë.

Studimet e matematikës i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN) të Universitetit të Prishtinës, kurse studimet pasuniversitare të magjistraturës në fushën e matematikës aplikative i përfundoi në Universitetin e Zagrebit, duke mbrojtur temën e magjistraturës me titull “Konvergjenca e metodave paralele për reduktimin e normës”.

Disertacionin e doktoratës me titull “Paralelizimi i disa metodave të tipit të Jakobit për zgjidhjen e problemit të vlerave vetjake” e mbrojti në FSHMN të Universitetit të Prishtinës.

Pupovci ka kontribuar në zhvillimin e dokumenteve të rëndësishme të politikave dhe është bashkautor i studimeve e artikujve në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor në Kosovë. Nga marsi i vitit 2000 ka qenë drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC), organizatë joqeveritare e specializuar në fushën e arsimit.