Duka: Kam marrë kërcënim me jetë para disa ditësh

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, shtëpia e të cilit u sulmua para pak orësh me një eksploziv, në lidhje direkte në Klan TV ka thënë se ka marrë kërcënim me jëtë para disa ditëve.

“E kam marrë një kërcënim me jetë para disa ditëve por nuk e kam denoncuar”, ka thënë ai.

Tutje ai ka lexuar dhe mesazhin të cilin ka pranuar në të cilin thuhet se Duka duhet të japë dorëheqje ose do t’i marrë 60 plumba në kokë.

“Ti luan me dy standarde, jep dorëheqje për 24 orë ose i ke 60 plumba në kokë”, ka qenë mesazhi që ka pranuar Duka.

Ai ka treguar se këtë mesazh e ka hetuar vet.

“E kam hetuar vet këtë, është një numër që është përdor vetëm një herë, është mbushur në një dyqan në Durrës. Në atë emrin kishte 1000 numra”, është shprehur i pari i FSHF-së.

I njëjti ka uruar që kjo ngjarje të mos ketë lidhje me konfliktin e Federatës me Bashkinë e Tiranës.

Tutje Duka është pyetur nëse do të kandidojë për të marrë mandatin e presidentit të FSHF-së për herë të gjashtë.

“Nëse kjo është paralajmëruese, unë do të rikandidoj, nëse jo, atëherë nuk do të rikandidoj”, ka qenë përgjigjja e tij.

KALLXO.com ka raportuar për shpërthimin e fortë të një tritoli që ka ndodhur pranë shtëpisë së Dukës, në Durrës.

Siç mësohet nga shpërthimi ka patur vetëm disa dëme të vogla materiale.