Seanca e Kuvendit më 11 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Dugolli: Përzgjedhja e kandidatëve për komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi ishte transparente

Nënkryetari i Komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes nga Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, thotë se përzgjedhje e kandidatëve për komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi është bërë në mënyrë transparente.

“Përzgjedhja e komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi është ndërlidhur drejtpërsëdrejti me zbatimin e ligjit për qasje në dokumente publike dhe qasjen e ligjet për mbrojtje të  dhënave personale. Në cilësinë e nënkryetarit të Komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes ju njoftoj se procesi i përzgjedhjes dhe intervistimin nga ana e komisionit është bërë në mënyrë transparentë dhe meritore”, tha ai para deputetëve.

Ai thotë se përzgjedhja e komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi ka dështuar tri herë në Kuvend, siç thotë ai, “ për shkak të paaftësisë së shumicës për të finalizuar këtë proces të rëndësishëm”.

“Kosova është kritikuar nga organizata ndërkombëtare për moszbatimin në mënyrë efektive  të legjislacionit që e rregullon mbrojtjen dhe qasjen në dokumente publike”, thot Dugolli.

Enver Bujari ka arritur të marrë më së shumti pikë në një proces jotransparent të poentimit në garën për komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Bujari që dy herë ishte vlerësuar nga ekspertët britanikë të BDO-së se nuk është i emërueshëm, pra nuk i plotëson kushtet për emërim në këtë pozitë, ka arritur të marrë 69 pikë nga 70 të mundshmet.

Ai është vlerësuar me pikë maksimale nga komisioni vlerësues prej shtatë anëtarësh, pesë prej të cilëve deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ky konkurs është hapur dhe zhvilluar nga Komisioni parlamentar për Çështje të Sigurisë, mirëpo në procesin e intervistimit kishin mbetur vetëm shtatë anëtarë pasi opozita, përfaqësuesit e LDK-së, PDK-së dhe AAK-së ishin tërhequr nga komisioni vlerësues.