Dugolli: PDK më ka bërë shumë zullum për privatizimin e Feronikelit

Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë ka intervistuar ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli.

Dugolli, tha se gjatë procesit të privatizimit është arritur që të zgjidhet çështja e titullarit pasi sipas tij ka pas kërcënime me padi ndërkombëtare lidhur me këtë çështje nga ana e Serbisë.

Dugolli tha se ka pasur edhe raste kur njerëzit është dashur ta blejnë tokën e vet, pasi sipas tij procesi i kolonizimit të Kosovës ka vazhduar nga ana e Serbisë.

“Projektet e Serbisë për kolonizimin e Kosovës, marrjen e pronave ka qenë politikë e tyre. Ka pas falsifikime për me ua marr tokën shqiptarëve”, tha Dugolli.

“Titullari është përcaktu, paramendo nëse do të mbetej çështja e tokave me u diskutu… Modeli ka qenë i kritikuar por këto kanë qenë rrethanat me ndiku. Ne nuk kemi pas asnjë zyrtar në pjesën e menaxhimit dhe shumë çështje kanë ndodh si rezultat që qeveria se ka pas idenë se a është duke u vepru drejtë”, tha Dugolli.

Dugolli tha se në vitin 2004 ka kërkuar ndihmë në Departamentin e Shtetit që këtë proces ta udhëheqin amerikanët.

Dugolli, ka përmendur disa privatizime siç është privatizimi i fabrikës Jugo –Term në Gjilan. Dugolli tha se përmes mediave e ka kuptuar se ky privatizim ka pas marrëveshje të fshehtë.

“Nga menaxhmenti është raportu që është procedurë e rregullt. Kur është shpall oferta fituese unë përmes mediave e kam kuptu që ka pas lidhje politike me LDK-në. Ky raportim ka ardh pasi procedurat janë përfudnuar. Është thënë që dikush nga familjarët e Fatmir Rexhepit figurë e LDK-së. Është diskutu edhe për zotin Lutfi Haziri unë nuk jam marr në detaje, por ka pas raportime në media”, tha Dugolli.

I pyetur se a është kërku që ky privatizim të ritenderohet, Dugolli tha se nuk i kujtohet.

“Nëse ofertuesi shpallet fitues dhe publikohet pa argumente bindëse nuk mund të ritenderohet”, tha Dugolli.

Dugolli tha se knë qenë vetëm dy anëtarë të bordit por krejt infrastruktura është bërë nga një agjencion nën autoritetin e UNMIK-ut.

Kryetari i komisionit Hajrulla Çeku e ka pyetur Dugollin se përfshirja e anëtarëve politk ka qenë ndërhyrje e këtij procesi nga politika.

Dugolli tha se në aspektin personal atë nuk e ka kontrollu askush.

Dugolli ka folur edhe për privatizimin e Feronikelit, pasi u pyet nga deputeti i PDK-së Gazmend Bytyqi se për sa është shitur Feronikeli.

Dugolli, tha se PDK-ja ka qenë e zëshme në këtë proces duke i bërë presion.

“Ky ka qenë presion psiqik, psikologjik deri në kërcënime edhe pse asgjë nuk është lidh personalisht me mua. Kjo ndrmarrje ka pas dy ofertues.  Në këtë aspekt me kalimin e kohës ndodhi që konsorciumi i parë u prish. Mua më ka interesu që ajo ndërmarrje të ketë sukses dhe ka qenë si rajon i prapambetur në aspektin eknoomik. Dikujt i ka pengu edhe pse po pyes, pse po intresohem. Komuna e Drenasit që është dominu nga PDK-ja ka bërë fushatë shumë kundër meje sepse kam qenë ministër edhe pse unë s’kam bo pjesë në këtë proces dhe deputetët e zonës kanë vazhdu avazin duke sulmu dhe sharë”, tha ai.

Dugolli tha se fabrika është lëshu në punë dhe vetë Hashim Thaçi sipas tij ka ardh në prerjen e shiritit dhe e ka cilësu si privatizim të suksesshëm.

“Nuk jua bëjë hallall zullumin që ma kanë bo se nuk kam pas interes personal, por interesi ka qenë që një investitor i huaj me pas sukses dhe me u hap 1 mijë e 200 vende të punës edhe ësshtë hap. Ka qenë privatizimi më i suksesshëm me spin off special”, tha Dugolli.

Dugolli tha se ndoshta kjo është bërë nga koncepti i opozitarizmit pasi sipas tij PDK-ja atë kohë ishte opozitë.

“Roli im nuk ka qenë vendimtar. Por unë kam votu dhe kam qenë për”, përfudndoi Dugolli.