Dugolli në polemika me rektorin Demaj: S’ka transparencë në UP

Në mbledhjen Senatit të Universitetit të Prishtinës, Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli kritikoi UP-në për transparencën.

Sipas tij, nuk po dërgohen materialet që do të trajtohen në mbledhjen e senatit me kohë.

“Dërgimi i materialit po bëhet shumë vonë, dje në mbrëmje na ka ardhur. ORCA e ka dërguar para jush. Ato duhet të dërgohen 3 ditë më herët”, tha Dugolli.

“Edhe grupi këshillëdhënës i rektoratit nuk i publikon vendimet që i marrin, po punoni në mënyrë tejet sekrete dhe të fshehtë. Kam menduar që është një gabim por e shoh që është e qëllimshme, duhet t’i sjellni materialet me kohë”, shtoi ai.

Për këtë reagoi rektori, Marjan Dema, i cili tha se gjithmonë ka qenë një praktike e tillë.

“Kjo mënyrë e veprimit është prej që kur është hap ky menaxhment”, tha ai.

Dugolli tha se dje në mbrëmje ka ardhur materiali i dokumenteve që do të votohen sot.

Për këtë, rektori Dema u arsyetua se ka shumë aktivitete, derisa shtoi që mos ta shfrytëzojnë situatën e zgjedhjeve në UP.

“Aq shume kam aktivitete, por mund ta shtyjmë mbledhjen. Jemi para zgjedhjeve nuk është mirë momentin e fundit të flasim për këto pasi që deri tash kemi pas kohë me i thënë”, tha ai.

Ai mohoi pretendimin e Dugollit se nuk janë transparentë.

“Ka lëshime por një gjë e kemi thënë gjithmonë jemi transparentë. Ato kritere që kane qenë kanë me vlejtë dhe kërkojmë qe të bashkëpunojmë. Grupa këshillëdhënës ka vetëm një rol ka vetëm atë verifikim të propozim që e bëni si fakultet”, tha Dema.

Mbledhja e senatit të UP-së është duke vazhduar.